Kosovë Lajme

Nagavci: Absurde që Haradinaj ta kërkojë postin e presidentit

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar absurd faktin që dikush që, sipas saj, ka përdorur “fjalë të pamatura” të kërkojë mbështetje për postin e presidentit, duke komentuar mundësinë e kandidimit të Ramush Haradinajt.

Haradinaj gjatë ditës së djeshme deklaroi se është i gatshëm të kandidojë për president nëse propozohet si emër nga opozita.

“Është për mua personalisht pak absurde që një person, cili do qoftë ai, i cili ka folur fjalë të pamatura, gjëra të cilat i dinë edhe vetë që nuk qëndrojnë, tashmë të kërkojë që të marrë mbështetje”, ka deklaruar Nagavci të enjten.

Ajo ka shtuar se Kosova ka mjaftueshëm njerëz me integritet dhe kredibilitet profesional e personal për të ushtruar detyrën e presidentit apo presidentes, duke përsëritur se vendi ka nevojë për një figurë konsensuale.

“Nuk po flas sot me emra të tillë, por ajo që mund të them është se është koha të mendojmë për institucionet dhe për mënyrën se si të dalim nga kjo krizë politike, duke lënë anash ambiciet dhe interesat personale”, ka thënë ajo.

Nagavci ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje pret që presidenti i ardhshëm të jetë figurë jopartiake dhe unifikuese, e cila do ta ushtronte detyrën me kompetencë dhe përgjegjësi.

“Ne presim që të kemi një kandidat apo kandidate konsensuale, jo partiake, të cilët do ta ushtronin me kompetencë dhe përgjegjësi pozicionin e tyre dhe rolin unifikues”, ka shtuar ajo.

Ajo është shprehur optimiste se deputetët do ta respektojnë vullnetin e qytetarëve, duke theksuar se vendi nuk ka shumë kohë për të humbur, pasi ka marrëveshje ndërkombëtare dhe projekte që presin shqyrtim.

Exit mobile version