Shqipëri

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij, Rama u përgjigjet me mallkime dhe batuta për algoritme

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish protestuesit që prej javësh mblidhen para Kryeministrisë dhe kërkojnë largimin e tij nga pushteti. Në një status të gjatë në Facebook, kreu i qeverisë i ka quajtur tubuesit si njerëz të manipuluar nga rrjetet sociale, të përdorur nga influencerë dhe blogerë për interesa personale. Duke iu drejtuar një protestuesi të ulur në shkallët e Kryeministrisë, Rama pretendon se ai dhe të tjerë si ai u shfrytëzuan për të krijuar iluzionin e një revolucioni.

Në një pasazh të gjatë, alegorik, kryeministri i cilëson protestuesit si “proletariati i algoritmit”, ndërsa influencerët dhe blogerët si përfituesit e vërtetë të situatës. Sipas Ramës, ata që i nxitën qytetarët të protestojnë janë rikthyer te reklamat, klikimet dhe ndjekësit në rrjetet sociale.

Por sulmi i kreut të qeverisë nuk u ndal vetëm te rrjetet sociale. Në fund të reagimit të tij, Rama i përshkroi protestuesit që dalin çdo ditë në shesh si pjesë të “errësirës së një mallkimi të vjetër” që rëndon mbi Shqipërinë.

Exit mobile version