Kosovë Lajme

Tenderi 16 milionësh i MPB-së për Microsoft: Siguria arsye për përjashtimin e ofertës më të lirë

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka shpallur fituese të një tenderi me vlerë prej 16.7 milionë euro kompaninë Infosoft Systems nga Tirana, për furnizimin e institucioneve shtetërore me licenca të produkteve Microsoft për një periudhë 36-mujore.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar në platformën e-prokurimit, në këtë procedurë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë. Oferta më e lirë është dorëzuar nga kompania Komtrejd Distribucija DOOEL nga Maqedonia e Veriut, por është eliminuar nga gara nga MPB me arsyetimin se nuk përmbush kriteret e sigurisë kombëtare.

Në letrën zyrtare drejtuar kompanisë së përjashtuar, MPB ka theksuar se operatori ekonomik mund të ketë qasje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në sistemet dhe të dhënat e institucioneve shtetërore me rëndësi vitale. Sipas ministrisë, autoriteti kontraktues është i obliguar të bëjë vlerësim të shtuar të çdo rrethane që mund të ndikojë në sigurinë shtetërore, përfshirë besueshmërinë e operatorit, kontrollin mbi personelin teknik dhe mbrojtjen e të dhënave.

Si rezultat, kontrata i është dhënë kompanisë Infosoft Systems, e cila tashmë është furnizuese e licencave të Microsoft për institucionet e Republikës së Kosovës.

Kjo kompani ka vazhduar të mbajë këtë rol edhe më herët, pasi në vitin 2023 MPB kishte lidhur një kontratë rreth 15 milionë euro, gjithashtu përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit, duke ftuar vetëm këtë operator.

Sipas të dhënave kompania fituese është e regjistruar në ARBK dhe ka këta pronarë.

Exit mobile version