Kosovë Lajme

Kurti shmang pyetjen për mundësinë e koalicionit me LDK-në

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk është përgjigjur kur është pyetur lidhur me mundësinë e një koalicioni mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Urime Dita e shërbimit publik sot”, ka thënë ai teksa ka shkuar në aktivitetin për shënimit të 23 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik, të organizuar nga Ministria e Digjitalizimit.

Të enjten Kurti në një video të postuar në Facebook ka deklaruar se për ta zgjedhur presidentin e ri, partitë opozitare duhet të ndryshojnë sjelljen, siç e ka quajtur ai, refuzuese.

Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë, ka thënë pas përurimit të një rruge të martën se, do të përpiqet të sigurojë bashkëpunim me opozitën.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 7 qershorit. Bazuar në rezultatin e deritashëm, ajo ka siguruar 53 ulëse në Kuvend.

Eksponentë të kësaj partie kanë thënë se rezultati ua mundëson ta formojnë vetë Qeverinë, vetëm me deputetët e komuniteteve, pa përfshirë ata të Listës Serbe.

KOHA ka kërkuar nga partitë oponente të Vetëvendosjes, qëndrim nëse do të pranojnë bashkëpunim për formimin e Qeverisë, nëse do t’iu bëhej ftesë, por nuk ka marrë përgjigje.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë më parë se partia e tij është e hapur për bisedime me të gjitha subjektet politike, pa përjashtuar as Vetëvendosjen. Sipas tij, çfarëdo marrëveshje koalicioni, duhet t’i përfshijë të gjitha pozitat shtetërore.

Në përpjekjet për të zgjedhur presidentin gjatë legjislaturës së shkuar, Kurti pati takime me Hamzën e edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por dështuan ta arrijnë marrëveshjen. Zgjedhjet e parakohshme u shpallën, në mungesë të zgjedhjes së kreut të shtetit.

Bazuar në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, koha prej 60 ditësh për ta zgjedhur presidentin, nis të rrjedhë me t’u konstituuar përbërja e re e Kuvendit.

Exit mobile version