Lëvizja Vetëvendosje ka mbërritur në 52 ulëse në Kuvend nga numërimi i më pak se 50 mijë votave nga votimi me postë dhe i 22 mijë të votave nëpër përfaqësi diplomatike. E deri në fund kanë mbetur edhe rreth 35 mijë zarfe të ardhura me postë e rreth 11 mijë me vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Në rezultatet e përgjithshme, Vetëvendosje ka marrë 45.89 për qind si partia e parë. Partia Demokratike e Kosovës ka rënë në 19.96 për qind. Lidhja Demokratike është e treta me 17.04 për qind dhe Aleanca e katërta me 6.89 për qind. Në ulëse deri tash, VV-ja ka marrë 52 ulëse, PDK-ja 22, LDK-ja 19 e AAK-ja 7.
Tri numërimet e deritashme kanë prodhuar trendë të ndryshëm. Në rezultatet preliminare, VV-ja si parti e parë i mori 42.96% apo 48 ulëse, ndërsa në përfaqësi diplomatike më shumë se 83 për qind. Në votat me postë, ajo mori 70.26.
Sipas trendit, nëse janë edhe 40 mijë vota për numërim, ndryshimet janë zor të projektuara. Që VV-ja të marrë edhe një ulëse i duhet të mbajë trendin prej më shumë se 70 për qind në numërimin me postë dhe të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Ulëset në Kuvend ndahen me formulën D’Hondt. Pas zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, duhet të konstituohet Kuvendi si dhe të zgjidhen edhe presidenti e edhe Qeveria. Për shumicën në Kuvend dhe për formimin e Qeverisë duhen 61 vota, e për presidentin kuorum prej 80 deputetësh në dy rundet e para.

