TIRANË – Këngëtari i njohur shqiptar Luiz Ejlli ka reaguar në mënyrën e tij ndaj protestave që po zhvillohen në Tiranë, duke lënë të kuptohet se qëndron pranë qytetarëve të revoltuar. Përmes një postimi në Instagram, ai publikoi një pjesë nga projekti i ri muzikor “MJAFT”, duke e shoqëruar me një mesazh të drejtpërdrejtë për ndjekësit e tij.
“Secili proteston në mënyrën e vet, ju zgjodhët rrugën, unë zgjodha muzikën”, shkruan Luiz Ejlli, duke nënvizuar se zëri i tij do të dëgjohet përmes artit dhe jo përmes turmës. Ai shton se ka investuar kohë për krijimin e tekstit, muzikës dhe klipit, ndërsa projekti i ri vjen në një moment kur protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama po tërheqin vëmendje të madhe publike.
Sipas vëzhgimit të Press7.tv, mesazhi i Luizit është interpretuar nga shumë ndjekës si një formë mbështetjeje për protestuesit dhe pakënaqësinë qytetare, ndërsa titulli i projektit “MJAFT” shihet si një simbolikë e qartë e klimës aktuale politike dhe sociale në Shqipëri.
Në fund të postimit, këngëtari ironizon kritikët e tij duke shkruar: “Ndërsa ju që nuk hoqët dorë, jepini një 2000€ atyre”, një fjali që ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Projekti “MJAFT” pritet të publikohet së shpejti dhe, sipas sinjaleve të para, mund të jetë një nga këngët më të komentuara të verës, duke ndërthurur muzikën me mesazhe që lidhen me realitetin politik dhe shoqëror në vend.

