Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit për Gazën është shpallur me shumë bujë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump në shkurt.
Gjenerali amerikan i zgjedhur për të udhëhequr forcën prej 20,000 trupash ka thënë se ajo do të siguronte “prosperitet të ardhshëm dhe paqe të qëndrueshme” pas luftës shkatërruese Izrael-Hamas.
Tre muaj më vonë, ai ende nuk ka një forcë për të udhëhequr, pasi asnjë nga pesë vendet që premtuan trupa nuk ka ofruar ndonjë kontribut domethënës, shkruan AP.
Përpjekjet për të forcuar armëpushimin e brishtë kanë ngecur, pasi Hamasi ka refuzuar të çarmatoset dhe Izraeli ka pushtuar më shumë territor, ndërkohë që vazhdon të godasë ato që i quan objektiva militantësh, duke vrarë shpesh civilë.
Ndërkohë, lufta me Iranin e ka bërë më të vështirë për liderët arabë dhe myslimanë që të bashkëpunojnë hapur me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, të cilët shumë njerëz në rajon i shohin si agresorë, ndërsa kriza globale energjetike që rezultoi nga konflikti ua ka dobësuar burimet.
Goditja më e madhe për forcën e planifikuar erdhi rreth një javë pasi SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin më 28 shkurt, kur Indonezia vendosi pezullimin pa afat të angazhimit të saj prej 8,000 trupash.
Rreth 1,000 prej tyre duhej të dërgoheshin në prill, ndërsa pjesa tjetër në qershor.
Premtimi i Indonezisë ishte larg më i madhi në grup, ku përfshihen gjithashtu Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Gjeneralmajori amerikan Jasper Jeffers, i cili foli në aktivitetin e Bordit të Paqes, duhej të komandonte forcën.
Indonezia i pezulloi planet e saj për shkak të asaj që ministri i Mbrojtjes, Sjafrie Sjamsoeddin, tha javën e kaluar se dukej si mungesë angazhimi nga një Uashington i shpërqendruar, duke deklaruar se “ende nuk kemi marrë udhëzime për zbatimin.”
“Kanë dalë dinamika të reja”, i ka thënë ai parlamentit.
“Për shkak se intensiteti i konfliktit mes forcave amerikane dhe iraniane mbetet shumë i lartë, Bordi i Paqes ka mbetur pas dore. Meqë Bordi i Paqes ka mbetur pas dore, edhe ISF-ja ka mbetur pas dore”, ka shtuar ai.
Çështjet e brendshme mund të kenë ndikuar gjithashtu në vendimin e Indonezisë, ka thënë Muhammad Zulfikar Rakhmat, drejtor i sektorit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Qendrën për Studime Ekonomike dhe Ligjore në Xhakartë.
Lufta me Iranin kundërshtohet fuqishëm në Indonezi, vendi mysliman më i populluar në botë.
Ekonomia po vuan nga rritja e çmimeve si rezultat i konfliktit dhe ekziston skepticizëm i gjerë ndaj Bordit të Paqes.
Indonezia ka humbur katër paqeruajtës që ishin pjesë e misionit të Kombeve të Bashkuara në Liban gjatë luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani. Kjo e ka përkeqësuar më tej opinionin publik ndaj angazhimeve të tilla ndërkombëtare.

