Kosovë Lajme

Kusari-Lila: Qeveria shpall Parkun Industrial në Gjilan dhe merr vendim për ish-ndërmarrjet “Metaliku” e “Virxhinia” në Gjakovë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e Parkut Industrial në Komunën e Gjilanit, si dhe ka miratuar vendime që lidhen me krijimin e Zonës Industriale në Gjakovë.

Në një postim në Facebook, Kusari-Lila i ka quajtur vendimet “lajme super të mira” në 100 ditët e para të Qeverisë Kurti 3.

“Sot, Qeveria e Republikës mori vendim për shpalljen e Parkut Industrial në Komunën e Gjilanit. Afër 200 hektarë në Livoq të Epërm, të gatshme për investime dhe zhvillim industrial”, ka shkruar ajo.

Ministrja ka thënë se kjo hap perspektivë për zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies.

“Zhvillim, përparim ekonomik dhe ngritje e mirëqenies për gjithë Kosovën dhe qytetarët e saj!”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Duke folur për Gjakovën, ajo ka theksuar se prej më shumë se një dekade është diskutuar për krijimin e Zonës Industriale dhe se tani, sipas saj, është marrë vendimi në Qeveri për nxjerrjen nga administrimi i Agjencisë së Privatizimit të Kosovës të disa ish-ndërmarrjeve

“Përfundimisht, sot… u mor vendimi për nxjerrjen nga administrimi i Agjencisë së Privatizimit të Kosovës të ish-ndërmarrjeve ‘Metaliku’ dhe ‘Virxhinia’, si dhe, transferimin e tyre tek Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit”, ka shkruar ajo.

Exit mobile version