Botë Lajme

Ngec Bordi i Paqes së Trumpit për rindërtimin e Gazës

Ngërçi diplomatik dhe mungesa e përparimit në terren ka bërë që vendet që premtuan fonde për Bordin e Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump, të ngurrojnë të paguajnë

Gaza ndodhet në një situatë të zymtë më shumë se shtatë muaj pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi. Nuk ka nisur asnjë rindërtim. Bordi i Paqes po përballet me vështirësi financiare dhe teknokratët palestinezë të zgjedhur për të administruar territorin janë lënë mënjanë në Egjipt.

Në një raport të dorëzuar më 15 maj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Bordi i Paqes ka vlerësuar se “pengesa kryesore” për realizimin e planit të Trumpit për Gazën ishte refuzimi i Hamasit për të dorëzuar armët dhe për të hequr dorë nga kontrolli mbi territorin, por disa persona të njohur me organizatën kanë thënë se mungesa e fondeve mund ta rrezikojë gjithë përpjekjen.

Nëntë vende premtuan 7 miliardë dollarë për një paketë “ndihme për Gazën” në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes, të kryesuar nga Trumpi. Por sipas një personi të njohur me operacionet e Bordit, vetëm Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maroku kanë dërguar fonde.

Grupi ka marrë 23 milionë dollarë për të financuar operacionet e tij, si dhe një shtesë prej 100 milionë dollarësh për të financuar një forcë të ardhshme policore palestineze, ka thënë personi në fjalë. Në total, kjo përbën vetëm 1.75 dollarë për çdo 100 dollarë të premtuar.

OKB-ja ka vlerësuar se kostoja totale për rindërtimin e Gazës mund të kalojë 70 miliardë dollarë gjatë dekadave të ardhshme.

Sipas pesë personave të njohur me Bordin e Paqes, disa vende që fillimisht premtuan fonde tani po hezitojnë të paguajnë, pas muajsh negociata të bllokuara dhe mungesës së progresit në terren.

“Vendet po hezitojnë të paguajnë pjesët e tyre”, ka thënë një diplomat i njohur me negociatat ndërkombëtare për Gazën, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht. Një burim tjetër ka thënë se lufta me Iranin ka shërbyer si justifikim për vonesat në pagesa.

“Askush që ka para dhe burime nuk dëshiron të punojë me Bordin e Paqes”, ka thënë një person i tretë i njohur me përpjekjet e grupit, i cili, si kritikët e tjerë ndaj iniciativës, kërkoi të mbetej anonim nga frika e hakmarrjes.

“Shto konfliktin me Iranin, dhe njerëzit tani kanë një justifikim për të mos paguar”, ka deklaruar ai.

Zhgënjimi i Gazës

Nickolay Mladenov, diplomati bullgar i ngarkuar me realizimin e vizionit të presidentit amerikan si “përfaqësues i lartë” për Gazën, ka pranuar javën e kaluar se palestinezët në Gazë janë zhgënjyer nga bota.

“Dera drejt së ardhmes së Gazës ende është e mbyllur. Nuk është ajo që iu premtua palestinezëve dhe nuk është ajo që ata meritojnë”, ka thënë Mladenov para gazetarëve në Jerusalem. Ai ka shtuar se ky ngërç rrezikon edhe sigurinë afatgjatë të Izraelit.

Raporti i Mladenovit i datës 15 maj drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së u ka bërë thirrje vendeve donatore të kontribuojnë “pa vonesë”.

“Fondet e premtuara por ende të pa dhëna përfaqësojnë dallimin midis një kornize që ekziston vetëm në letër dhe një kornize që sjell rezultate konkrete për popullin e Gazës”, thuhej në raportin e Bordit të Paqes.

Një zyrtar i lartë i Bordit të Paqes ka mohuar se kishte probleme urgjente financiare dhe ka shtuar se donatorët mbeten të përkushtuar. Sipas tij, apeli drejtuar OKB-së është bërë në kontekstin e mungesave të vazhdueshme të fondeve për programet humanitare të OKB-së në Palestinën e pushtuar.

Bordi është i bindur se mund të sigurojë fondet e premtuara sipas nevojës për të financuar programet e tij, të cilat ende janë kryesisht në fazën e planifikimit, ka thënë zyrtari. Maroku, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë transferuar para për të mbuluar kostot operative të grupit dhe për të financuar trajnimin e një force policore palestineze.

Megjithatë, një person tjetër i njohur me Bordin ka mohuar që Bahreini të ketë transferuar para. Ambasada e Bahreinit në Uashington nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.

Trumpi gjithashtu ka premtuar 10 miliardë dollarë fonde amerikane, të cilat ende nuk janë disbursuar. Zyrtarët e Bordit nuk kanë kërkuar zyrtarisht këto fonde të premtuara nga SHBA-ja, ka shtuar zyrtari i lartë. Ato kontrollohen nga Jeremy Lewin, zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Aryeh Lightstone, këshilltar kyç për politikën e Lindjes së Mesme në të dy administratat e Trumpit, është “i vetmi person” që merret me bisedimet për mbledhjen e fondeve për Bordin e Paqes, ka thënë një zyrtar i lartë i Bordit. Prej muajsh, Lightstone po udhëton mes Tel Avivit, Abu Dhabit dhe Uashingtonit për të siguruar mbështetje për vizionin e Trumpit, duke zhvilluar takime edhe me organizata humanitare për nevojat e Gazës.

Ndër shpenzimet e bordit janë edhe pagat për 12 palestinezë të zgjedhur për të drejtuar administratën civile të planifikuar në Gazë, të quajtur Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), të cilët ndodhen në Egjipt duke pritur garanci sigurie dhe leje diplomatike për të hyrë në Gazë.

Sipas një personi të njohur me Komitetin, ata paguhen mesatarisht nga 16,000 deri në 17,000 dollarë në muaj. Ndërkohë, Mladenov pritet të fitojë rreth 400,000 dollarë në vit për rolin e tij në drejtimin e Bordit të Paqes, sipas dokumenteve të shqyrtuara nga The Guardian.

I pyetur për këto shifra, një zyrtar i lartë i Bordit ka thënë se nuk mund të komentojë drejtpërdrejt.

“Nuk jam drejtori financiar… por ato shifra të lënë pa fjalë”, ka deklaruar zyrtari.

Një zëdhënës i Bordit ka thënë se shifrat e pagave të dhëna për The Guardian janë “të pasakta” dhe se pagesat për teknokratët palestinezë bazohen në shkallën e pagave të përdorura nga Autoriteti Palestinez. Ai ka refuzuar të komentonte më tej.

Sipas burimeve, NCAG, i cili i përgjigjet Mladenovit, nuk ka pasur asnjë ndikim konkret në jetën e palestinezëve brenda Gazës.

“As edhe një shishe ujë nuk ka hyrë në Gazë nën flamurin e NCAG-së që nga janari 2026”, ka thënë një person i njohur me komitetin.

Asnjë ndryshim?

Kur marrëveshja e armëpushimit për Gazën u arrit në tetor të vitit të kaluar, kritikët dhe aleatët e SHBA-së paralajmëruan se ajo ishte tepër e paqartë lidhur me detajet e vështira të rindërtimit, qeverisjes dhe sigurisë në Rrip. Marrëveshja parashikonte një forcë ndërkombëtare për të garantuar sigurinë, duke hapur rrugën për rindërtim, rritjen e ndihmës, çmilitarizimin e Hamasit dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite.

Më shumë se gjysmë viti më vonë, ende nuk ekziston asnjë forcë ndërkombëtare dhe as plane konkrete për krijimin e saj. Forcat izraelite vazhdojnë të kontrollojnë më shumë se gjysmën e Gazës dhe kufizojnë dërgesat kritike të ushqimit dhe ndihmave të tjera.

Shumica e të mbijetuarve ende jetojnë në kampe të improvizuara dhe ku bëhet jetesë e pashëndetshme. Uria është e përhapur, shkollat nuk janë rihapur, mungesa e ujit të pastër është kritike, ndërsa sistemi shëndetësor është paralizuar nga dëmtimet e ndërtesave dhe mungesa e stafit dhe furnizimeve.

Trumpi dhe ndihmësit e tij kanë paraqitur plane për një të ardhme që duket krejtësisht e shkëputur nga realiteti aktual i rrënojave dhe katastrofës humanitare. Gjatë vitit të kaluar, ata kanë folur për transformimin e Gazës në një qendër moderne turizmi dhe tregtie, me aeroporte, porte detare dhe “qytete inteligjente të fuqizuara nga inteligjenca artificiale” për banorët e Gazës.

“Le të planifikojmë një sukses madhështor”, ka thënë emisari dhe dhëndri i Trumpit, biznesmeni Jared Kushner, para donatorëve të mundshëm në Davos në janar. Por deri tani nuk ka pasur asnjë punë domethënëse për rindërtimin, madje as projekte bazë në zonat e Gazës nën kontroll të plotë ushtarak izraelit.

Vitin e kaluar, zyrtarët amerikanë kanë thënë se kampe të përkohshme, të rrethuara, mund të ishin gati deri në verë për të strehuar mijëra palestinezë në ato zona.

Disa kontraktorë kanë paraqitur oferta për pastrimin e rrënojave, ofrimin e sigurisë dhe ndërtimin e komplekseve në Gazë, por kanë thënë se nuk kanë marrë kontrata pune.

“Asgjë nuk ka ndodhur. Ata as nuk kanë lidhur kontrata për heqjen e rrënojave”, ka thënë një person që ka folur në kushte anonimiteti.

Mladenov e ka pranuar se të dyja palët kanë shkelur armëpushimin, por vazhdimisht ka fajësuar Hamasin për mungesën e progresit, duke thënë se grupi duhet të dorëzojë armët për t’i hapur rrugë rindërtimit.

Në lojë është e ardhmja e më shumë se 2 milionë palestinezëve në Gazë, shumica e të cilëve janë të zhvendosur dhe të dëshpëruar, me synimin për të rindërtuar jetën pas një lufte që është cilësuar si gjenocidale nga një komision i OKB-së, organizata të të drejtave të njeriut dhe studiues të gjenocidit.

Një person i njohur me Bordin e Paqes ka thënë se edhe në rastin e pamundur që Hamasi të pranonte çarmatimin, organizata nuk do të ishte në gjendje të ofronte mbështetjen në shkallën e nevojshme për territorin e shkatërruar nga lufta.

“Rezultati më i keq do të shihej nëse Hamasi pranon çarmatimin dhe pastaj të thotë: ‘Vazhdoni, filloni të sillni ndihma’”, ka thënë ai. “Çfarë do të bëjnë atëherë?”.

Mirëpo, një zyrtar i lartë i Bordit të Paqes ka kundërshtuar këtë vlerësim.

“Ne jemi më shumë se të përgatitur dhe nuk do të dështojmë”, ka deklaruar zyrtari.

Exit mobile version