Kosovë Lajme

Kurti kërkon hapjen e arkivave nga Serbia për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka diskutuar për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë me përfaqësuesen rajonale të UNHCR-së në Evropën Qendrore, Nicole Epting.

Sipas komunikatës për media bëhet e ditur se Kurti ka deklaruar se janë 1565 persona të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit dhe, në këtë drejtim, potencoi nevojën e zbatimit të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel.

Ai nënvizoi se progresi real në këtë proces kërkon hapjen e arkivave nga Serbia, përfshirë atë të Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila vazhdon të mbetet e klasifikuar nga autoritetet në Serbi deri në vitin 2044.

Tutje njoftohet se në takim u diskutua për çështjet që lidhen me refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe personat pa shtetësi, si dhe për përgjegjësinë institucionale dhe ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të tyre.

“Kryeministri në detyrë Kurti e njoftoi përfaqësuesen Epting me politikat dhe programet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të zbatuara nga ministritë e linjës, të cilat adresojnë nevojat dhe të drejtat e këtyre kategorive, përfshirë strehimin, mbështetjen sociale dhe qasjen në shërbime publike. Gjatë bashkëbisedimit u theksua se trajtimi i këtyre çështjeve duhet të mbetet gjithmonë i udhëhequr nga parimet e të drejtave të njeriut dhe solidaritetit humanitar, duke vendosur njeriun dhe dinjitetin e tij në qendër të politikave publike dhe angazhimit institucional”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version