Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që të gjithë personat e mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë të aplikojnë për njohjen e statusit.
Haxhiu këtë thirrje e bëri gjatë vizitës që pati në Shoqatën e Lidhjes dhe Invalidëve të Viktimave Civile në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ajo, tha se gjatë vizitës do të njoftohet me zhvillimet, nevojat dhe sfidat me të cilat përballet kjo qendër, ndërsa paralajmëroi edhe takim me gratë e mbijetuara të dhunës seksuale, i cili do të mbahet pa praninë e mediave për shkak të konfidencialitetit.
“Kjo është vizita ime e dytë. Vizitën e parë e kam bërë sa kam qenë ministre e Drejtësisë në kuadër të fushatës 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në familje, dhe tani edhe si ushtruese e detyrës së presidentes. Do të njoftohem për përparimet që kanë ndodhur prej asaj kohe dhe natyrisht për nevojat dhe sfidat që kjo qendër po i kalon. Pas kësaj konference do të kem takim me gratë që janë viktima të dhunës seksuale. Mirëpo për shkak të konfidencialitetit, nuk është e mundshme që mediat të jenë të pranishme dhe uroj mirëkuptimin tuaj për këtë. Prandaj edhe gjatë atij takimi do të njoftohem me sfidat që ato i kanë, qofshin ato shëndetësore apo sfidat që i kanë me aplikimin tek Komisioni për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Me këtë rast më lejoni që të shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë personave që kanë qenë të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë që të aplikojnë për njohje të statusit. Ju e dini që janë katër organizata të licencuara që merren me ndihmën e personave të mbijetuar të dhunës seksuale, përfshirë pastaj si organizata e pestë edhe organizatën në të cilën jemi, që në vazhdimësi i kanë ndihmuar personat e dhunuar që t’i tejkalojnë sfidat me të cilat ata përballen”, tha ajo.
Ajo tha se sa ishte ministre e Drejtësisë ishte rritur buxheti për organizatat që merren me çështje familjare dhe sociale, duke shtuar se institucionet do të adresojnë shqetësimet që dalin nga takimet me të mbijetuarat.
“Sa kam qenë ministre e Drejtësisë ne kemi rritur buxhetin për organizatat që merren me çështje familjare dhe me çështje sociale. Ka pasur shumë organizata ku në atë kohë Ministria e Drejtësisë i ka mbështetur projektet e tyre dhe qëllimi ka qenë që të jemi pranë sfidave që kanë organizatat në mënyrë që me mbështetjen tonë të tejkalohen ato. Shumë më tepër do të njoftohemi nga takimi që kemi me gratë sepse do t’i marrim, si me thënë, aty për aty sfidat me të cilat ballafaqohen. Në të kaluarën kam pasur aspekte shëndetësore që i kanë trajtuar, ne i kemi ngritur ato me Ministrinë e Shëndetësisë dhe natyrisht që në bazë të përgjegjësive të të gjitha institucioneve do t’i adresojmë përgjegjësitë”, tha ajo.
Drejtori i Shoqatës së Lidhjes dhe Invalidëve të Viktimave Civile në Kosovë, Mustafë Prenku, tha se në këtë qendër trajnohen mbi 900 gra, ndërsa mbi 400 raste janë të grave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.
“Faleminderit shumë dhe e falënderoj presidenten për vizitën. Kam kënaqësinë që ka qenë në mesin tonë sot për të na vizituar qendrën dhe aktivitetet dhe trajnimet që i bëjmë në këtë qendër. Në këtë qendër i kemi mbi 900 gra që kryejnë trajnime, mbi 400 raste të rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës që kanë përjetuar dhunë gjatë luftës. Dhe jam shumë krenar që del dikush të na vizitojë dhe i din hallet dhe dertet e organizatave që merren me këto kategori të dala nga lufta. Rastet e dhunës seksuale gjatë luftës kanë shumë probleme, kanë ankesa si në shëndetësi, si në familje, si gjithkund”, tha ai.

