Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar përmes një statusi publik lidhur me situatën politike dhe mediatike në Maqedoninë e Veriut, duke kritikuar ashpër opozitën shqiptare.
Sipas Qokut, opozita e sotme shqiptare gëzon një hapësirë shumë më të madhe mediatike dhe liri të shprehjes sesa kishte opozita para qershorit të vitit 2024. Ai thekson se kjo liri nuk ka ekzistuar më parë në vend.
Në reagimin e tij, Qoku akuzon opozitën se po shpenzon “dhjetëra mijëra euro” për reportazhe të porositura, të cilat sipas tij realizohen nga gazetarë të paguar për të ndërtuar narrativa të caktuara. Ai shton se për këto qëllime angazhohen edhe figura mediatike nga jashtë, me synim që të përmirësojnë imazhin e individëve që, sipas tij, njihen në rajon për korrupsion dhe klientelizëm.
Madje, ai pretendon se për një reportazh të vetëm shpenzohen deri në 30 mijë euro.
Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, Qoku vlerëson se realiteti në terren ka ndryshuar ndjeshëm. Ai shprehet se shqiptarët sot janë më të lirë se kurrë për të shprehur mendimet e tyre, për të protestuar dhe për të kundërshtuar pa pasoja.
Sipas tij, protestat zhvillohen pa presione, kërcënime apo hakmarrje, ndërsa qytetarë të profileve të ndryshme, përfshirë profesorë dhe punonjës institucionesh, marrin pjesë hapur në to pa frikë për vendin e punës.
Në fund, Qoku thekson se ndryshimi më i madh është “çlirimi nga frika”, duke e përshkruar periudhën e kaluar si një kohë të shantazhit dhe presionit që, sipas tij, ka zgjatur për më shumë se dy dekada.

