Përmes një ceremonie spektakolare, janë hapur edhe zyrtarisht Lojërat e 24-ta Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026, të cilat nga e premtja e 6 shkurtit e deri më 22 shkurt do të zhvillohen në 16 sporte të ndryshme.
Për herë të parë, ceremonia u mbajt në katër vende të ndryshme. Kryesorja ishte në stadiumin San Siro të Italisë, ndërsa vendet tjera ishin Cortina D’Ampezzo, Livigno dhe Predazzo.
Mes 92 shteteve, parakalimin e ka bërë edhe ekipi olimpik i Kosovës, me flamurmbajtësit Kiana Kryeziu e Drin Kokaj, të dy skitarë të skijimit alpin.
Kryeziu bashkë me shefin e misionit, Jeton Rudari dhe trajnerin Visar Kryeziu, parakaluan në Cortina D’Ampezzo, ndërsa pjesa tjetër e ekipit tonë me flamurmbajtësin Drin Kokaj përbëhej edhe nga përzgjedhësi Agim Pupovci dhe trajneri Ismajl Kokaj.
Në San Siro ishin të pranishëm drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti dhe nënpresidenti Milaim Kelmendi, njëherësh kryetar i Federatës së Skitarisë të Kosovës (FSK), si dhe u.d. i Agjencisë për Sport në MKRS, Fida Shatri.
Të pranishmëve iu drejtua edhe presidentja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kirsty Coventry, e cila për herë të parë përjetoi Lojërat nga kjo pozitë. “Mirë se vini te Lojërat Olimpike Dimërore. Është ky momenti juaj”, iu drejtua ajo të pranishmëve.
Kosova garon në katër disiplina të skijimit alpin dhe gara e parë është e Kianës, që zhvillohet më 12 shkurt në super sllallom të madh./Press7.tv/

