“Pa marrë parasysh rezultatin e procesit të statusit, Kosova do të mbetet dhe duhet të mbetet si vend ku shqiptarët dhe serbët e Kosovës dhe të tjerët do të duhet të jenë në gjendje të jetojnë në paqe dhe pa pasur frikë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop
Bruksel, 7 dhjetor 2007 – Ministrat e jashtëm të NATO-s kanë përfunduar takimin e tyre në Bruksel me përkushtimin që të mbahet forca e NATO-s në Kosovë në nivelin e tashëm dhe me mundësinë që në rast nevoje të përdoret, pa kufizime të reja, edhe forca rezervë e Aleancës për të parandaluar përshkallëzimin eventual të dhunës në kohën kur pritet vendimi për pavarësinë e Kosovës.
“Në Kosovë një mandat i fortë i pranisë së KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja është vendimtar për ruajtjen e sigurisë dhe mbështetjen e procesit politik. Presim raportin e Trojkës nga ana e Grupit të Kontaktit për procesin e negociatave të udhëhequra nga Trojka rreth statusit të ardhshëm të Kosovës”, thuhet në deklaratën nga ky takim ministror, duke shtuar se “KFOR-i do të mbetet në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 përderisa Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk vendos ndryshe”.
NATO-ja u ka bërë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga aktet apo deklaratat, të cilat mund të dëmtojnë situatën e sigurisë në Kosovë apo në ndonjë pjesë tjetër të rajonit. Në deklaratë thuhet se “NATO-ja do të përgjigjet me vendosmëri ndaj çdo përpjekjeje që të dëmtohet siguria e popullit të Kosovës”. Për këtë ka folur edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaapo de Hoop Scheffer.
“Përkushtimi i vazhdueshëm i NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit mbetet krucial dhe ne do të veprojmë me vendosmëri kundër çdokujt që provon të përdorë dhunë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer. Scheffer, po ashtu ka bërë ftesë që të gjithë në Kosovë të përmbahen nga deklarimet nxitëse.
“Pa marrë parasysh rezultatin e procesit të statusit, Kosova do të mbetet dhe duhet të mbetet si vend ku shqiptarët dhe serbët e Kosovës, dhe të tjerët do të duhet të jenë në gjendje të jetojnë në paqe dhe pa pasur frikë”, ka thënë ai.
Edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë ka thënë se do të mbahet prania ndërkombëtare në Kosovë edhe pas statusit. “Trojka do të paraqesë raportin te sekretari i përgjithshëm i OKB-së dhe unë supozoj se prania e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë do të kërkohet dhe sekretari i përgjithshëm do të paraqesë faktet për këtë para Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Steimnmaier, vendi i të cilit me afër 3000 ushtarë ka numrin më të madh të ushtarëve në misionin e NATO-s në Kosovë.
Edhe ministri i Jashtëm britanik, David Miliband, ka folur për Kosovën. “Do të shihni në ditët që vinë, kur po përmbyllet procesi i Trojkës dhe raporti paraqitet te sekretari i përgjithshëm i OKB-së, pajtimin se së pari NATO-ja duhet të vazhdojë rolin e saj në Kosovë”, ka thënë ministri Miliband. Ai ka shtuar se Evropa tash në rastin e Kosovës duhet të veprojë me unitet. “Kjo është në oborrin e Evropës dhe shtetet evropiane dhe Bashkimi Evropian duhet të dëshmojnë lidership në çështjen e Kosovës, sepse ne e dimë nga mesi i viteve nëntëdhjetë se cili ishte çmimi i hamendjes evropiane dhe dështimit që të dëshmohet lidershipi kur ishte i domosdoshëm në Ballkan”, ka thënë shefi i diplomacisë britanike Miliband.
Për Kosovën është folur edhe në takimin e NATO-s me Rusinë, takim që ka zgjatur shumë më tepër sesa që ishte parashikuar. Duke folur pas këtij takimi zëdhënësi i NATO-s, James Appathurai, ka thënë se “ne nuk mund të presim shumë gjatë më për zgjidhjen e një problemi serioz në territorin e Evropës”.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, pas takimit NATO-Rusi, i pyetur se si do të reagojë Rusia pas deklarimit të pavarësisë së Kosovës ka thënë se “reagimi ynë do të bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe shpresoj se edhe vendet e tjera do të veprojnë njësoj”. “Çështja e Kosovës nëse zgjidhet, siç ne mendojmë se do të zgjidhet do të shërbejë si precedent, edhe pse kolegët tanë nga Perëndimi po thonë se nuk është precedent”, ka thënë Lavrov, duke shtuar se “Trojka ka pasur negociata të frytshme dhe Beogradi ka qenë shumë konstruktiv në negociata, por Prishtina nuk ka qenë e gatshme”. Si përmbledhje, shumica e ministrave të NATO-s kanë shprehur bindjen se Prishtina do të veprojë në mënyrë të koordinuar dhe procesi do të jetë i koordinuar dhe i kontrolluar.

