Kosovë Lajme

Osmani: Avancimi i Aktit për Luginën, mesazh i qartë kundër diskriminimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se avancimi i Aktit të Vlerësimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, është mesazh i qartë se diskriminimi sistematik ndaj komunitetit shqiptar në Serbi nuk do të mbetet i padukshëm.

Osmani ka përgëzuar kongresistin amerikan Keith Self për prezantimin dhe mbështetjen e këtij akti, si dhe kryetarin e komitetit Brian Mast dhe anëtarin kryesor Gregory Meeks për udhëheqjen, ndërsa ka falënderuar edhe të gjithë deputetët që votuan pro me mbështetje dypartiake.

“Serbia ka kryer vazhdimisht shkelje autoritare të të drejtave të pakicave, duke përfshirë fushatën e qëllimshme të pasivizimit për spastrim etnik përmes mjeteve administrative, shtypjen e gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

Të mërkurën mbrëma, anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë miratuar një rezolutë, e cila shtyn përpara projektligjin, i cili kërkon nga sekretari i Shtetit që të merret me trajtimin e pakicave në Serbi, veçanërisht shqiptarët.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, në një deklaratë për KOHËN, e ka vlerësuar vendimin e komitetit si shumë të rëndësishëm, duke thënë se çështja e diskriminimit të shqiptarëve nga Serbia, tash është bërë pjesë e agjendës zyrtare të politikës amerikane.

Sinani ka bërë një thirrje edhe për Bashkimin Evropian.

“Presim që Serbia të ndalë praktikat diskriminuese dhe të respektojë të drejtat themelore të shqiptarëve, në të njëjtën kohë BE-ja duhet ta trajtojë këtë çështje seriozisht dhe të lidhë respektimin e të drejtave të njeriut me proceset integruese të Serbisë. Diskriminimi nuk mund të tolerohet në një shtet që pretendon anëtarësim në BE”, ka shtuar ajo.

Exit mobile version