Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë kanë zënë vend edhe në ballinat e mediave më prestigjioze ndërkombëtare. “Associated Press”, “Reuters”, “The Guardian” e “Washington Post” i kanë cilësuar këto zgjedhje si përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike të sivjetme.
“Votuesit e Kosovës votojnë në përpjekje të dytë këtë vit për të zgjedhur një qeveri dhe për të shmangur më shumë krizë”, është titulli i agjencisë “Associated Press”.
Kjo agjenci ka kujtuar se që nga 9 shkurti, Kosova edhe pse mbajti zgjedhje të rregullta, partitë nuk kanë arritur të formojnë qeverinë.
Për këtë medium ka folur edhe një pensionist nga Prishtina. Ilmi Deliu ka thënë se shpreson që zgjedhjet “të sjellin ndryshim ose do të përfundojmë në humnerë”. “Të rinjtë nuk duan të jetojnë më këtu”, ka thënë ai.
Artikullin e njëjtë e ka publikuar edhe “The Guardian”.
Ngjashëm ka raportuar edhe agjencia “Reuters”. “Kosova voton në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik njëvjeçar”, mban titullin artikulli për Kosovën në “Reuters”.

