Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se trajnimi elitë “Simboli i Ujkut” ka përfunduar me sukses pas tre javësh intensive dhe të mbushura me sfida të vazhdueshme.
Në njoftimin e FSK-së thuhet se ky trajnim selektiv kishte për qëllim testimin dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale, fizike dhe mentale të pjesëmarrësve.
“Ushtrimi final zgjati 72 orë pa ndërprerje, gjatë të cilit kursantët realizuan patrullime mbi 70 kilometra me pajisje të plota ushtarake. Në fazën përfundimtare, ata ekzekutuan me sukses misionin e caktuar, sulmin duke treguar profesionalizëm të lartë, vendosmëri, si dhe bashkëpunim të shkëlqyer ekipor”, thuhet në njoftim.
Përfundimi me sukses i këtij trajnimi thuhet se konfirmon nivelin e lartë të përgatitjes dhe gatishmërisë së pjesëtarëve, si dhe angazhimin e vazhdueshëm për ngritjen e kapaciteteve operative dhe profesionale.
