Kosovë Lajme

Osmani për rrëmbimin e qytetarit serb në Kosovë: Provokim i rëndë nga Serbia

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se rrëmbimin e një qytetari kosovar nga xhandarmëria serbe është një krim, një provokim i rëndë dhe tentim vrasje nga institucionet shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës se Kosovës.

E pyetur nga mediat pas forumit të EULEX-it, Osmani tha se edhe po të kishte ndodhur rrëmbimi brenda territorit të Serbisë, përsëri do të ishte provokim i rëndë për paqe dhe stabilitet në vendin tonë.

“Pavarësisht se ku të ketë ndodhur, pavarësisht, është krim provokim i rëndë dhe tentim vrasje e institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës se Kosovës. Edhe po të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë përsëri është provokim i rëndë për paqe dhe stabilitet në vendin tonë”, tha Osmani.

Më 1 nëntor 2025, Policia e Kosovës, ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe.

Ndryshe, më 3 nëntor, avokati Niniq përmes postimeve në rrjete kishte reaguar për incidentin që, sipas tij, kishte ndodhur më 1 nëntor në Leposaviq. Ai ka thënë se Vukashinoviqi ishte plagosur rëndë dhe më pas ishte rrëmbyer, për t’u transportuar më vonë në territorin e Serbisë. /KSP

Exit mobile version