Lajme Maqedoni

Bekim Qoku: BDI po bashkëpunon me Levicën, partinë që mohon Kosovën dhe urrejtje për shqiptarët!

Deputeti i koalicionit qeveritar VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar ashpër ndaj bashkëpunimit të ri politik që po merr formë mes BDI-së dhe Levicës, duke e quajtur atë një aleancë që nuk i shërben qytetarëve dhe është në kundërshtim të plotë me interesat kombëtare shqiptare.

Sipas Qokut, ky bashkëpunim është vazhdim i “moratoriumit kombëtar” të BDI-së, siç e kishte quajtur më herët Bujar Osmani, dhe tregon se kjo parti është e gatshme të lidhet me çdo forcë për interesa të ngushta klanore e pushteti. Ai ka kujtuar se BDI ka bashkëqeverisur edhe me figura të akuzuara për krime lufte si Brat Luben, si dhe me Mijallkovin dhe Gruevskin, duke qenë bashkëpjesëmarrëse në dhjetëra afera dhe krime politike kundër shqiptarëve.

Në reagimin e tij, Qoku ka theksuar se programi i Levicës është thellësisht antishqiptar dhe në përputhje me interesat ruse. Në të parashikohet tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila quhet “protektorat amerikan” dhe “burim jostabiliteti në Ballkan”, rritje e kontrollit kufitar me “Kosovën” dhe Shqipërinë, të cilat përshkruhen si “zona rreziku për kontrabandë”, si dhe vazhdim i iniciativës “Ballkani i Hapur” që i hap kufijtë Serbisë, por kërkon t’i mbyllë me Shqipërinë.

Po ashtu, në dokumentin politik të kësaj partie përfshihet nënshkrimi i një “Platforme maqedonase” kundër partive shqiptare që kanë mbështetur Platformën e Tiranës, afrimi me Unionin Euroaziatik dhe Federatën Ruse sipas shembullit të Serbisë, prishja e marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe anulimi i plotë i përdorimit të gjuhës shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Qokut, urrejtja ndaj shqiptarëve dhe tonet e hapura fashiste që përmban programi i Levicës kujtojnë “Mein Kampf”-in e Hitlerit. “Ky është realiteti i Levicës. Dhe për këtë arsye çdo bashkëpunim me ta është i pamundur. Kështu ka qenë, dhe kështu duhet të mbetet”, thekson ai.

Në përfundim, Bekim Qoku shton se për BDI-në nuk ekzistojnë më vija të kuqe. “Kur gjetën forcë dhe justifikim për të bashkëpunuar me Vuçiqin, Daçiqin, Lavrovin e Vulinin, pse jo edhe me Levicën?”, ka përfunduar deputeti i VLEN-it.

Exit mobile version