Kosovë Lajme

Nis Samiti i Procesit të Berlinit në Londër

Ka nisur në Londër samiti i 12-të i Procesit të Berlinit. Në takim po marrin pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor e të shteteve të Bashkimit Evropian. Mysafirët janë pritur nga sekretarja e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe e kryeministri Keir Starmer.

Në samitin e 12-të me radhë që nga 2014-a pritet që të diskutohet për paqen dhe stabilitetin në rajon, për luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ekonomik e ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Në Kosovë, nuk janë shprehur pritshmëri për rezultate të mëdha.

Arbëresha Loxha, hulumtuese e lartë në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, thotë se në këtë takim kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të adresojë mosimplementimin e marrëveshjeve të arritura më parë.

Kosova marrë parasysh situatën, problemet me mosnjohjen nga të gjitha shtetet, por edhe problemet të cilat i sjellin në tavolinë Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina në veçanti e kanë dëmtuar shumë Kosovën nga përfitimi i pothuajse shumicës së marrëveshjeve që janë bërë në këtë proces. Nikoqirët duhet të ndërlidhin, konsideroj, çdo nënshkrim të marrëveshjes së re, përfitim nga një marrëveshje e re, nga një çkado që del prej procesit me kushtëzim të implementimit të marrëveshjeve paraprake”, ka thënë Loxha.

Në lidhje me synimet e Kosovës nga samiti i sivjetmë, KOHA ka pyetur edhe në Qeveri, por që nga e hëna nuk ka marrë përgjigje.

Loxha thotë se problem mbetet moszbatimi i marrëveshjes nga Bosnjë-Hercegovina për lëvizje me letërnjoftim të kosovarëve, si dhe ajo për njohjen e diplomave të kosovarëve nga Serbia.

Nuk është që është duke u bërë mjaftueshëm presion te pala serbe në këtë rast për t’i implementuar dhe qëndruar prapa marrëveshjeve që janë nënshkruar”, ka thënë ajo.

Për dallim prej Bosnjë-Hercegovinës, Kosova ka nisur me zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë nga janari i këtij viti.

Në tetor të vitit të kaluar, gjatë pjesëmarrjes në këtë samit Kosova ka nënshkruar me vendet e rajonit marrëveshjen për qasje në arsimin e lartë në Ballkanin Perëndimor e katër deklarata që lidhen me bashkëpunimin rajonal.

Exit mobile version