Kosovë Lajme

BE-ja e shqetësuar se kryerësit e sulmit të Banjskës në vend të dënimit marrin pjesë në protesta në Serbi

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet që kryesit e sulmit terrorist në Banjskë të nxirren para drejtësisë, duke shprehur shqetësimin pse ata, në vend se të jenë para gjyqit, po marrin pjesë në protesta në Serbi. Ndërkohë, nga BE=ka është paralajmëruar se përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, personalisht në New York do të kërkojë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të ndërmerren masa për nxjerrjen para drejtësisë të kryesve të këtij sulmi.

Këto për KOHËN i ka thënë një zëdhënës i BE-së, duke u përgjigjur në pyetjet lidhur me hapat që ka ndërmarrë BE-ja për të nxjerrë para drejtësisë sulmuesit e Banjskës.

“Sulmi i para dy vitesh, më 24 shtator të vitit 2023 në fshatin Banjskë, nga sulmuesit e armatosur serbë të Kosovës kundër policisë së Kosovës, seriozisht rrezikoi sigurinë në rajon. Ky sulm i tmerrshëm atë ditë la të vdekur një oficer policie dhe dy të plagosur. BE përsërit thirrjet për të llogaridhënie për përgjegjësit për kryerjen e këtij sulmi”, thuhet nga një zëdhënës i BE-së.

“Presim nga autoritetet e Serbisë që të mbajnë dhe të procesojnë ata që gjenden në Serbi, me aktakuza përkatëse, para gjykatave në Serbi. Jemi të shqetësuar me raportimet për pjesëmarrjen e të sulmuesve të dyshuar nga Banjskë në protestat në Serbi”, thuhet më tej në reagimin e BE-së.

Ky zëdhënës i BE-së rikujton se qysh në tetor të vitit 2023, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë kishte përcjellë kërkesën për një asistencë të përbashkët ligjore nga ana e autoriteteve të Kosovës tek autoritetet e Serbisë për të njëjtin rast.

“Nuk ka pasur akoma ndonjë përgjigje të autoriteteve të Serbisë ndaj kësaj. Presim nga Serbia që në tërësi të bashkëpunojë për këto kërkesa, përmes vendosjes së kanaleve të përbashkëta të bashkëpunimit ligjor. Përfaqësuesja e Lartë personalisht ka ngritur këtë çështje në takim me presidentin Vuçiq. Ajo do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje tutje në takimet e radhës, në margjina të takimit të saj me liderët nga Ballkani Perëndimor në New York”, ka thënë ky zëdhënës.

BE-ja, përmes përfaqësuesit të Lartë në vitin 2023, e kishte karakterizuar sulmin në Banjskë si “sulm terrorist”.

Exit mobile version