Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur këtë të shtunë zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Hapja u bë me intonimin e himnit të Kosovës dhe më pas atë të Shqipërisë.
Në këtë tubim partia prezantoi kandidatët për kryetarë komunash si dhe listat e asamblistëve që do të garojnë në këto zgjedhje.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, e mori i pari fjalën, duke u shprehur i bindur se kandidatët e AAK-së në të gjitha komunat janë më të mirët. Ai ftoi të gjitha strukturat të punojnë fort për të korrur suksese në të gjitha komunat ku garojnë.
Më pas fjalën e mori kandidatja për kryetare të Fushë-Kosovës, Vildane Halili. Në fjalën e saj theksoi disa pika që i konsideron kryesore. Ajo tha se është rritur brenda Aleancës duke parë njerëz me sukses dhe duke kuptuar se puna e palodhshme dhe përkushtimi gjithmonë shpërblehen. Sipas saj, udhëheqja në Aleancë shihet si përgjegjësi dhe forcë që nuk e ka asnjë parti tjetër. Halili u shpreh se, si grua, ndihet jashtëzakonisht krenare për gjithçka që Aleanca ka arritur gjatë këtyre 10 vjetëve të angazhimit të saj.
Aktualisht, AAK-ja udhëheq në pesë komuna: Gjakovë, Rahovec, Suharekë, Klinë e Deçan.