Lajme Maqedoni

Arbëria rreshtohet pas Mendi Qyrës: “Struga meriton një standard të ri

Strugë – Lëvizja Arbëria ka shpallur sot mbështetjen për kandidaturën e pavarur të z. Mendi Qyra për Komunën e Strugës. Në një komunikatë të publikuar nga Bekim Fazliu, me pjesëmarrjen e Gazmend Alijit dhe Orhan Ibrahim-it, kjo lëvizje e cilëson kandidaturën si “hap të qëlluar dhe të mirëpritur” jo vetëm nga qytetarët struganë, por edhe nga opinioni më i gjerë.

Sipas komunikatës, kandidatura e Qyrës synon të vendosë një standard të ri llogaridhënieje para qytetarëve, duke u distancuar nga garat e ndërtuara mbi inate dhe interesa të ngushta personale. Arbëria e paraqet këtë kandidim si shenjë bashkimi të struganëve për komunën e tyre, me qëllim depolitizimin e institucioneve dhe çmontimin e mentalitetit korruptiv.

Lëvizja thekson se nën drejtimin e Qyrës, Struga pritet të marrë hov të ri në zhvillim: të rikthejë statusin si margaritar turistik, qendër e zhvillimit ekonomik, qytet i kulturës dhe sportit, dhe vend me kushte të rregulluara për jetesë të dinjitetshme.

Në fund, Arbëria u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Strugës që të mbështesin këtë kandidaturë të pavarur, si mundësi reale për të ndërtuar një të ardhme ndryshe për qytetin.

Foto: takim i përfaqësuesve të Lëvizjes Arbëria me Mendi Qyrën në Strugë./press7.tv

Exit mobile version