Shkup, 9 gusht 2025 – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka nënshkruar sot vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor 2025. Vendimi tashmë është dërguar te organet kompetente për organizimin dhe zbatimin e procesit zgjedhor. Gashi theksoi se fushata do të nisë 20 ditë para datës së zgjedhjeve dhe gjatë kësaj periudhe Kuvendi do të vazhdojë funksionimin administrativ, por nuk do të mbahen seanca plenare, për të shmangur keqpërdorimin e foltores për qëllime elektorale. Ai u bëri thirrje të gjitha forcave politike, kandidatëve dhe strukturave përkatëse të tregojnë kulturë të lartë politike, të shmangin presionet, fjalorin përçarës dhe çdo tentativë për instrumentalizim të institucioneve dhe burimeve publike për interesa partiake. “Zgjedhjet janë thelbi i demokracisë sonë dhe një mundësi që qytetarët të zgjedhin udhëheqës me vizion dhe përgjegjësi. Pres që ky proces të jetë shembull i pjekurisë demokratike dhe të reflektojë vullnetin e lirë të qytetarëve,” deklaroi Gashi. Ai uroi suksese të gjithë kandidatëve dhe partive që do të marrin pjesë në garë, duke shpresuar që zgjedhjet të fokusohen te idetë dhe vizionet për një të ardhme më të mirë./press7.tv