Gazetari Lutfi Dervishi ka krahasuar ritmin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë me Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, duke vënë në dukje dallimet në efikasitet mes tyre.
Në një postim në Facebook, Dervishi shkruan se Slobodan Millosheviç, i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, u arrestua në vitin 2001 dhe gjyqi ndaj tij nisi vetëm një vit më pas. Ndërkohë, drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të arrestuar në vitin 2020, ndodhen ende në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor.
“U desh më shumë se një dekadë për ta ngritur një dhomë gjykimi dhe, edhe pasi u arrestuan ish-drejtuesit e UÇK-së në 2020, jemi në vitin e pestë të pritjes, me një proces që ecën më shpejtësinë e breshkës”, shkruan Dervishi.
Ai vëren se tribunali për Jugosllavinë kishte përballë presidentë shtetesh, gjeneralë dhe figura të larta të përfshira në spastrime etnike, ndërsa procesi në Hagë për Kosovën është fokusuar për vite me radhë në çështje që lidhen me zinxhirin komandues të një lëvizjeje që ka pasur karakter vetëmbrojtës.
Në fund të shkrimit, Dervishi kujton një deklaratë të presidentit amerikan Joe Biden, i cili e ka cilësuar Hashim Thaçin si “George Washingtonin e Kosovës”, ndërsa shton: “Me këtë ritëm, do përfundojnë dënimet para se të mbarojë procesi”./press7.tv