Ministri i Çështjeve Evropiane dhe përfaqësuesi i subjektit VLEN, Orhan Murtezani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Japoni, ku ka realizuar takime të rëndësishme me përfaqësues të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe me figura të njohura nga bota e biznesit japonez. Këto takime përfaqësojnë një hap konkret drejt forcimit të marrëdhënieve bilaterale dhe nxitjes së investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut.
Japonia ka qenë një partner i qëndrueshëm ndër vite, me mbi 421 milionë dollarë të investuar në projekte strategjike që përfshijnë shëndetësinë, mbrojtjen e mjedisit dhe mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Këto projekte kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte nisma për hapjen e një zyre të JICA-s në Shkup – një hap që pritet të intensifikojë bashkëpunimin dhe të lehtësojë zbatimin e projekteve të reja zhvillimore. Prania e përhershme e JICA-s në vend do të përforcojë lidhjet institucionale dhe do të krijojë një platformë të re për bashkëpunim afatgjatë.
VLEN mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, përmes nismave që mbështesin turizmin, bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale. Partneriteti me Japoninë është pjesë e një strategjie më të gjerë për të krijuar mundësi të reja dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët.