Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar zyrtarisht bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke i dërguar një letër kryetarit Lumir Abdixhiku më 5 maj, me synimin për të krijuar një koalicion qeverisës që do t’i jepte fund bllokadës në Kuvend dhe do të hapte rrugën për formimin e Qeverisë së re.
“Jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në,” shkruan Kurti në letrën e tij, ku shpreh gatishmërinë për një partneritet që, sipas tij, është i nevojshëm për tejkalimin e krizës institucionale.
LDK e ka pranuar ftesën dhe njoftoi përmes zëdhënësit Besian Mustafa se përgjigjja zyrtare do të vijë “në kohën e duhur”, pa dhënë detaje për qëndrimin e mundshëm të partisë.
Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar lëvizjen e Kurtit si të vonuar, duke theksuar se veprime të tilla duhej të ndodhnin menjëherë pas zgjedhjeve.
“Situata është serioze. Letra nuk e ndryshon shumë realitetin. Nëse Kurti ka sinqeritet për zgjidhje, duhet të propozojë një kandidaturë që mund të gjejë mbështetje edhe nga LDK, PDK apo ne si AAK,” tha Haradinaj para mediave, duke shtuar se vendi nuk mund të mbetet peng i lëvizjeve të vonuara politike.