Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nga Tirana deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar të përgjigjet ndaj propozimit për armëpushim pa kushte, të iniciuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të mbështetur nga Ukraina dhe partnerët evropianë.

    Përmes një postimi në Instagram, Macron bëri të ditur se refuzimi i armëpushimit dhe mungesa e gatishmërisë për dialog tregojnë se Rusia nuk është e interesuar për paqe. Ai theksoi se qëllimi i Moskës është të fitojë kohë për të vijuar luftën.

    Kjo deklaratë erdhi pas një bisede telefonike mes Macron dhe presidentit amerikan Donald Trump, e zhvilluar gjatë qëndrimit të liderit francez në Shqipëri, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

    “Edhe një herë, Putin injoron propozimin për armëpushim. Duke refuzuar dialogun, Rusia konfirmon se nuk dëshiron paqen. Ne do të vazhdojmë koordinimin me partnerët evropianë, SHBA-në dhe koalicionin ndërkombëtar për të ndërtuar një përgjigje të përbashkët,” shkroi Macron.