Lajme Maqedoni

VLEN përkujton 2 Majin: Një ditë kujtese, sakrifice dhe angazhimi për drejtësi

Koalicioni VLEN ka përkujtuar 2 Majin përmes një komunikate për media, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sidomos për banorët e zonës së Sllupçanit.

“Kjo datë simbolizon përfundimin e një periudhe të vështirë dhe fillimin e një kapitulli të ri – me shpresë, paqe dhe përkushtim për zhvillim të qëndrueshëm,” thuhet në komunikaten me shkrim.

VLEN nënvizon se 2 Maji është një ditë që kujton gjakun e derdhur për barazi dhe drejtësi, nënat që humbën bijtë e tyre dhe dëshmorët që lanë pas një emër të përjetshëm.

Sipas tyre, kjo ditë nuk është vetëm një përvjetor, por një amanet për brezat e rinj dhe një thirrje për të mos harruar kurrë të kaluarën.

“2 Maji është simbol i qëndresës dhe dinjitetit në tokën tonë. Sot, kujtimi shndërrohet në forcë dhe dhimbja në angazhim për një të ardhme më të drejtë,” përfundon komunikata.

VLEN thekson se udhëhiqet nga parimet e drejtësisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo përkatësie fetare.

Exit mobile version