Lajme Maqedoni

Shifra alarmante për 1 Maj: 132 drejtues të dehur dhe 114 pa leje drejtimi në rrugët e vendit

Gjatë kontrolleve të intensifikuara për festën e 1 Majit, policia rrugore ka shqiptuar gjithsej 613 gjoba në të gjithë vendin. Shifrat janë shqetësuese: 132 shoferë janë kapur në timon me nivel të palejuar të alkoolit në gjak, ndërsa 114 persona kanë drejtuar automjete pa leje drejtimi.

Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, ndërgjegjësimi i drejtuesve të mjeteve për sigurinë në rrugë vazhdon të bie. Vozitja pa patentë ose nën ndikimin e alkoolit mbetet një rrezik serioz, jo vetëm për jetën e shoferëve, por edhe për bashkëudhëtarët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Kontrollet zbuluan gjithashtu një sërë shkeljesh të tjera:

  • 115 gjoba për tejkalim të shpejtësisë së lejuar,
  • 42 për parkim të paligjshëm,
  • 37 persona të ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurisë,
  • 10 masa ndaj motoçiklistëve pa helmetë, dhe
  • 7 shoferë të ndëshkuar për përdorim të telefonit gjatë ngasjes.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, janë larguar nga qarkullimi 24 automjete të paregjistruara dhe 4 të tjera për shkak të problemeve teknike.

Exit mobile version