Gjendja e të lënduarve nga zjarri në diskotekën e Koçanit është stabile dhe pacientët janë jashtë rrezikut për jetën, bënë të ditur Ministri i Shëndetësis, Arben Taravari. Nga gjithsej 115 pacientë që sot janë pranuar në spitalet e Koçanit, Shtipit dhe Shkupit për trajtim pas zjarrit vdekjeprurës në një diskotekë në Koçan, 47 do të shkojnë për mjekim jashtë vendit, ndërsa për të lënduarit e mbetur nesër në vend do të vijnë mjekë nga jashtë për të ndihmuar në trajtimin. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha sonte se të gjithë pacientët që kanë mbetur për trajtim në spitalet vendore aktualisht janë në gjendje stabile, por kjo mund të ndryshojë në çdo moment.
“Tre pacientë janë në Selanik, 14 pacientë në Bullgari, nga të cilët 8 janë në Sofje, tre në Plovdiv dhe tre në Varna. Një pacient është në Beograd, një në Nish, tre pacientë tashmë janë dërguar në Stamboll dhe gjashtë të tjerë do të transportohen sonte. Gjithsej 28 pacientë. Sonte në Kroaci do të udhëtojnë 4 pacientë dhe në Beograd 15 pacientë. Gjithsej 47 do të marrin trajtim jashtë vendit”, tha ministri Taravari.
Siç tha Taravari, sipas informacioneve që disponon, katër deri në pesë persona të lënduar kanë kërkuar ndihmë mjekësore në klinikat private. Aktualisht, në spitalet e vendit janë të shtruar gjithsej 115 pacientë. Në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” janë 25 pacientë, në spitalin e qytetit po trajtohen 24 persona dhe të gjithë pacientët në spitalin “8 Shtatori” janë në gjendje relativisht të qëndrueshme. Në spitalet e Shtipit dhe Koçanit janë gjithsej 42 pacientë. Disa nga pacientët tashmë janë liruar për mjekim në shtëpi.