Lajme Maqedoni

Mickoski për përplasjet mes Arsovskës dhe Ganiut: Nëse ka ndërtime pa leje, le të veprojë – jo retorikë boshe

Kryeministri Hristijan Mickoski, ka reaguar pas akuzave të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e cila pretendon se në komunën e Çairit po zhvillohen ndërtime pa leje. Ai u shpreh se, nëse këto pretendime janë të vërteta, atëherë Arsovska ka kompetencat për të ndërmarrë masa konkrete, duke theksuar se qytetarët nuk përfitojnë asgjë nga, siç tha ai, “filozofia dhe retorika boshe”.

“Nëse me të vërtetë mendon se ka ndërtime pa leje, ajo ka kompetenca dhe duhet të veprojë. Nga fjalët e zbrazëta, populli nuk ka dobi”, tha Mickoski në një deklaratë për media.

Këto komente vijnë një ditë pas një përplasje të drejtpërdrejtë mes kryetares Arsovska dhe kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, gjatë një inspektimi në terren. Arsovska e akuzoi Ganiun për lejim të ndërtimeve pa dokumentacion të rregullt urbanistik, ndërsa ky i fundit e kundërshtoi ashpër, duke e akuzuar atë për ndërhyrje politike dhe tendencë për përplasje etnike në kryeqytet.

Ganiu deklaroi se të gjitha projektet e komunës janë të dokumentuara dhe transparente, ndërsa akuzoi Arsovskën për fushatë personale kundër komunave me shumicë shqiptare.

Exit mobile version