Botë Lajme

Dy punonjës të Ambasadës izraelite qëllohen për vdekje në Washington – autori bërtiti “Palestina e lirë”

Dy punonjës të Ambasadës së Izraelit në SHBA janë qëlluar për vdekje mbrëmjen e djeshme në afërsi të Muzeut Hebre në Washington D.C., në atë që autoritetet po e hetojnë si sulm të mundshëm terrorist me motive antisemitiste.

Viktimat, një burrë dhe një grua të martuar dhe pjesë e stafit diplomatik ,ishin duke u larguar nga një aktivitet i organizuar për ndihmën ndaj civilëve në Rripin e Gazës, kur u qëlluan për vdekje nga një person i armatosur, i identifikuar nga policia si 30-vjeçari Elias Rodriguez.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë së kryeqytetit amerikan, Rodriguez u arrestua në vendngjarje dhe gjatë ndalimit thuhet se bërtiti “Palestina e lirë”. Hetuesit janë duke shqyrtuar nëse sulmi ka pasur lidhje me ndonjë grup ekstremist dhe po e hetojnë rastin nën dyshimet për akt terrorist.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, e cilësoi ngjarjen si një “sulm terrorist tronditës”, duke kërkuar hetim të plotë dhe drejtësi të shpejtë për viktimat.

Ambasada izraelite konfirmoi se punonjësit e vrarë janë qëlluar “nga një distancë e afërt”, ndërsa shtoi se po bashkëpunon me autoritetet amerikane për zbardhjen e plotë të rastit.

Ndërkohë, edhe presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar përmes një deklarate të shkurtër, ku e ka cilësuar sulmin si “të trishtë dhe të motivuar qartazi nga urrejtja antisemitiste”.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra dhe ka rritur ndjeshëm shqetësimet për sigurinë e komunitetit hebre në SHBA. Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka njoftuar se po rishikon masat e sigurisë në të gjitha ambasadat, konsullatat dhe objektet kulturore izraelite në territorin amerikan.

Ndërkohë, organizatat hebreje dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar mbrojtje më të madhe për komunitetet e rrezikuara nga urrejtja dhe ekstremizmi.

Hetimet mbi motivet dhe lidhjet e autorit po vazhdojnë dhe pritet që në orët në vijim të ketë më shumë detaje zyrtare nga FBI dhe autoritetet federale.

Exit mobile version