Izraeli dhe Irani kanë vazhduar sulmet ndaj njëri-tjetrit mbrëmjen e së premtes, më 13.06.2025, me Izraelin që ka sulmuar objekte bërthamore dhe bazat ushtarake dhe me Iranin që është kundërpërgjigjur, raporton CNN. 22:27 – Zyrtari iranian thotë se 31 persona janë vrarë në provincën veriperëndimore Guvernatori i provincës iraniane Azerbaixhani Lindor, në veriperëndim të vendit, tha se 31 persona kanë humbur jetën atje, përfshirë 30 pjesëtarë të forcave ushtarake dhe një anëtar të Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, raporton BBC.
Bahram Sarmast shtoi gjithashtu se deri më tani janë plagosur 55 persona. Televizioni shtetëror iranian ka raportuar se 60 persona, përfshirë 20 fëmijë, janë vrarë nga një sulm izraelit ndaj një ndërtese në Teheran. Irani ende nuk ka publikuar një numër zyrtar të përgjithshëm të viktimave. Gjysmëhëna e Kuqe iraniane tha se dy persona janë vrarë gjatë një sulmi ndaj një ambulance në provincën veriperëndimore Azerbaixhani Perëndimor.
Përfaqësuesi i Iranit në Kombet e Bashkuara deklaroi dje, më 13.06.2025, se nga sulmet izraelite janë vrarë 78 persona dhe mbi 320 janë plagosur. BBC nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime. 20:15 – “Do të godasim çdo objekt dhe çdo shënjestër” të regjimit iranian, paralajmëron kryeministri i Izraelit Izraeli do të “godasë çdo objektiv” të regjimit iranian, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një adresim me video të shtunën, më 14.06.2025, ndërsa tensionet mes dy rivalëve të kahershëm vazhdojnë të përshkallëzohen, raporton CNN.
Netanyahu tha se “në një të ardhme shumë të afërt, do të shihni avionët izraelitë, Forcën Ajrore të Izraelit, pilotët tanë trima, mbi qiellin e Teheranit.” “Ne do të godasim çdo objekt dhe çdo shënjestër të regjimit të Ajatollahut” – paralajmëroi ai. Lideri izraelit tha se qëllimi i vendit të tij është të eliminojë “kërcënimin e dyfishtë” të Iranit ndaj Izraelit, duke iu referuar si kapaciteteve bërthamore të Teheranit ashtu edhe arsenalit të tij me raketa balistike. Ai shtoi se Izraeli tashmë ka “shkaktuar një goditje shumë të rëndë” ndaj objektit kryesor bërthamor të Iranit. “E goditëm objektin e pasurimit të uraniumit, i cili është jetik për prodhimin e bombave. Gjithashtu goditëm ekipin kryesor të shkencëtarëve që udhëheqin këto projekte. Dhe kjo pa dyshim do t’i kthejë mbrapa, ndoshta për shumë vite” – tha ai.
Kjo deklaratë vjen pasi Netanyahu të premten mbrëma, më 14.06.2025, mbajti një adresim të drejtpërdrejtë drejtuar popullit iranian, duke i nxitur që “të ngrihen dhe të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet”, ndërsa paralajmëroi se sulme të tjera janë në rrugë e sipër. 19:38 – Shpërthen zjarr në fushën e gazit natyror në Iran, raportojnë mediat shtetërore Një zjarr ka shpërthyer në fushën e gazit South Pars në Iran, fusha më e madhe e gazit natyror në botë – sipas raporteve nga mediat shtetërore iraniane. Pamje video që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe që janë verifikuar gjeografikisht nga CNN tregojnë një zjarr të madh dhe shtëllunga tymi që ngrihen nga fusha e gazit në provincën jugore të Bushehrit në Iran
Sipas raporteve të mediave shtetërore iraniane, fusha është goditur nga një sulm me dron izraelit. 17:58 – “Izraeli po nënvlerëson dashurinë tonë për vendin” – iranianët hedhin poshtë thirrjen e Netanyahut për kryengritje Në një adresim të rrallë drejtuar popullit të Iranit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të premten, më 13.06.2025, u bëri thirrje qytetarëve iranianë që “të ngrihen dhe të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet”, pasi Izraeli kreu sulme vdekjeprurëse ndaj rivalit të tij rajonal, raporton CNN. “Ka ardhur koha që populli iranian të bashkohet rreth flamurit të tij dhe trashëgimisë së tij historike, duke u ngritur për lirinë nga një regjim i lig dhe shtypës” – tha Netanyahu në një deklaratë. Por për qytetarët në Iran, thirrja e liderit izraelit ra në vesh të shurdhër.
Shumë prej atyre me të cilët foli CNN nuk dëshironin të citoheshin, as edhe në mënyrë anonime, por asnjëri nuk shprehu mbështetje për thirrjet e Netanyahut për revoltë. “Izraeli po nënvlerëson dashurinë tonë për vendin tonë. Ideja që, duke na bombarduar, duke shkatërruar shtëpitë tona, duke vrarë fëmijët tanë, do të na nxjerrë në rrugë, është tronditëse. Ne duam të jetojmë në paqe, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo regjimi” – i tha CNN-it një burrë 36-vjeçar që kërkoi të mbetet anonim. Iranianët që folën për CNN shprehën zemërim të dukshëm dhe theksuan se kurrë nuk do t’i bindeshin kërkesave të Netanyahut. “A dua që ky regjim të mos ishte në pushtet? Patjetër. A dua që qyteti im të bombardohet nga një tjetër diktator? Absolutisht jo” – tha Neda, një 28-vjeçare
Mos u mashtroni nga lajmet e rreme. Realiteti i asaj që po ndodh në Iran, si dikush që ka jetuar në Iran dhe ka familjen atje, është që Izraeli në asnjë mënyrë nuk po ndihmon popullin tonë. Nuk kam nevojë për lajme të rreme dhe fjalime propagandistike” – shtoi ajo. Regjimi iranian vazhdon të jetë jopopullor brenda vendit, ku forcat e sigurisë vazhdojnë të shtypin në mënyrë brutale disidentët. Përveç zemërimit, ndjenja mbizotëruese mes banorëve të Teheranit ishte frika e thellë, me thashetheme që përhapeshin se sulmet izraelite mund të intensifikohen në kryeqytet të shtunën në mbrëmje. “Po dëgjojmë se sonte Izraeli do të godasë pjesë më të populluara të Teheranit si hakmarrje për sulmin që goditi Tel Avivin, dhe kjo është me të vërtetë frikësuese” – tha një grua 24-vjeçare, të cilës CNN-i nuk ia zbulon emrin për arsye sigurie.
Nata e kaluar ishte më e keqe se gjithçka që ka ndodhur më parë. E gjithë shtëpia po dridhej dhe vazhdonin të hidheshin bomba që dukeshin jashtëzakonisht afër” – shtoi ajo. 16:56 – Sulmi i paprecedentë i Izraelit tregon se Irani është shndërruar në një ‘fushë loje’ për Mossad-in Para se Izraeli të niste një valë të paprecedentë sulmesh ndaj objekteve bërthamore dhe udhëheqësve ushtarakë më të lartë të Iranit këtë javë, spiunët e tij tashmë ndodheshin në territorin armik, raporton CNN. Agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad, kishte kontrabanduar armë në Iran përpara sulmeve, sipas zyrtarëve të sigurisë izraelite, dhe do t’i përdorte ato për të goditur mbrojtjen iraniane nga brenda.
Zyrtarët thanë se Izraeli kishte ngritur një bazë për lëshimin e dronëve shpërthyes brenda territorit iranian, dhe më pas këta dronë u përdorën për të goditur lëshues raketash pranë Teheranit. U kontrabanduan gjithashtu armë precize që u përdorën për të goditur sistemet raketore tokë-ajër, duke hapur rrugën që Forcat Ajrore izraelite të realizonin më shumë se 100 sulme me mbi 200 avionë në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, sipas kohës lokale. Plani për të çaktivizuar mbrojtjen iraniane duket se ka qenë efektiv; Izraeli tha se të gjithë avionët e tij u kthyen të sigurt nga valët e para të sulmeve, duke dëshmuar, siç duket, epërsi ajrore izraelite mbi pjesë të një shteti që ndodhet qindra milje larg. Informacioni i mbledhur nga Mossad brenda Iranit i dha gjithashtu forcave ajrore të Izraelit aftësinë për të goditur komandantë të lartë dhe shkencëtarë iranianë. Në një veprim jashtëzakonisht të rrallë, Mossad publikoi pamje nga disa prej operacioneve të tij, ku shihen dronë duke sulmuar atë që duket të jenë lëshues raketash të papërgatitur…