Hetimet për zjarrin në Koçani, ku humbën jetën 62 persona, janë në fazën përfundimtare. Lajmin e ka bërë të ditur Prokurori i Përgjithshëm, Ljupço Kocevski, i cili theksoi se brenda dhjetë ditësh pritet të përfundojë e gjithë procedura hetimore.
“Janë intervistuar mbi 300 persona – dëshmitarë, të dyshuar, profesionistë të fushës. Aktualisht nuk ka persona të rinj të dyshuar, dhe jemi në fazën finale të mbledhjes së provave.”, tha prokurori i përgjithshëm, Lupço Kocevski.
Ai më tej theksi se një vendim përfundimtar i Prokurorisë Publike pritet në mes të muajit qershor, ndërsa për momentin janë duke u analizuar dëshmitë dhe provat për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të mundshme.