Lajme Shqipëri

Berisha mbyll fushatën me mesazh të fortë: Nesër nis rruga drejt një Shqipërie të re me mbështetje ndërkombëtare

Në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të Partisë Demokratike, lideri i saj Sali Berisha mbajti një fjalim të fuqishëm, duke falënderuar qytetarët, mbështetësit dhe personalitetet ndërkombëtare që kontribuan në fushatë.

Berisha theksoi se fitorja e PD-së do të shënojë fillimin e një epoke të re për Shqipërinë, të mbështetur nga partnerë të fuqishëm ndërkombëtarë. Ai përmendi emra të njohur si deputeti gjerman Peter Beyer, lordi britanik Jackson dhe strategu amerikan Chris LaCivita, të cilët, sipas tij, kanë dhënë një ndihmë të çmuar në realizimin e fushatës.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen nga të gjithë ata që besuan në këtë kauzë. I nderuar zoti Beyer, do t’ju jemi përjetë mirënjohës. Përshëndes gjithashtu kancelarin Friedrich Merz, që në krye të CDU-së dhe Gjermanisë do të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, u shpreh Berisha.

Në përmbyllje, ai u angazhua për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, duke theksuar se nesër, pas zgjedhjeve, PD synon të krijojë një qeveri që do të thellojë bashkëpunimin me administratën e ish-presidentit Donald Trump dhe me partnerët evropianë.

“Do të kemi një bashkëpunim të ngushtë me administratën e presidentit Trump dhe kancelarin Merz për të rikthyer shtetin ligjor, për të funksionalizuar ekonominë e tregut dhe për të ndërtuar një Shqipëri që krijon mundësi për të rinjtë”, përfundoi kreu i PD-së.

Exit mobile version