Lajme Maqedoni

A ka intervenuar BDI përmes Abazit që Jahoski të mos përfundojë në Shutkë?

 

Prokuroria për Krim të Organizuar e cila udhëhiqet nga kryeprokurori kërçovar , Islam Abazi,  e I cili gjatë përzgjedhjes së tij u përfol në opinion si person I afert i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti , dyshohet se ndikuar  që djali deputetit Ismail Jahoski, pra  Asmir Jahoski të mos përfundoj prapa grilave në Shutkë. Ndonëse të dyshuar për një krim me naftë me vlerë afro 170 milionë euro, Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionit vendos të pranojë, të ndryshojë kërkesën e saj dhe në vend të burgut, të propozojë arrest shtëpie për pronarin e Pucko Petrol.

“Në lidhje me të dyshuarin A.J., pas deklaratës së të dyshuarit para gjyqtarit të procedurës paraprake, prokurori publik është pajtuar që propozimi për caktimin e masës së paraburgimit të ndryshohet me propozim për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, i cili është pranuar nga gjyqtari i procedurës paraprake”, thonë nga Gjykata Penale.

Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion pritet që gjatë ditës të ketë përgjigje për arsyet pse është propozuar masë më e butë ndaj Jahoskit, por deri në këto momente mbetet e paqartë se pse pas deklaratës së të dyshuarit Jahoski para gjykatësit në procedurë paraprake, prokurori publik ka pranuar që propozimi për caktimin e masës së paraburgimit të ndryshohet në propozim për caktimin e masës arrest shtëpiak. Poashtu është e paqartë pse ky ndryshim u pranua nga gjyqtari gjykues.

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk dëshiron të komentoj vendimet gjyqësore por, është i tronditur nga informacionet për presionet rreth këtij rasti, të cilat kanë zemëruar opinionin publik, e që filluan dy ditë më parë kur u zbulua aksioni i MPB-së dhe Byrosë për Siguri Publike.

“Për mua është alarmante informacioni që marr, i cili lidhet me drejtuesin e një prokurorie kur ka dëgjuar për veprimin. Jam vërtet i tronditur nga mënyra sesi ai njeri sillej dhe vazhdon të sillet. Ata nuk kanë vend atje, nëse duan të jenë oborrtarë dhe partiakë, atëherë vendi i tyre nuk është në Prokurori, është në ato hacienda të mëdha që janë ndërtuar në Maqedoninë Perëndimore”, tha Mickoski.

Zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti, theksoi se hetimi për furnizimin me derivate të dëmshme do të vazhdojë deri në fund, duke potencuar se rasti nuk ka të bëjë vetëm me dëmtimin e buxhetit të shtetit, por edhe me rrezikimin e shëndetit të qytetarëve.

“Ky rast është një shembull i qartë se nuk ka kompromis me korrupsionin. Jo vetëm që është dëmtuar buxheti i shtetit, por është rrezikuar shëndeti i qytetarëve. Kjo e bën këtë çështje dyfish më të rëndësishme. Ne jemi në luftë kundër korrupsionit pa etiketime etnike apo ideologjike. Askush nuk është mbi ligjin dhe ky hetim do të shkojë deri në fund”, deklaroi Mexhiti.

Ai siguroi se ky hetim tregon angazhimin e Qeverisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin, pavarësisht etnisë apo orientimit politik.

Për këtë rast, në Shuktë kanë përfunduar pronari i kompanisë RKM, Ratko Kapushevski, ortaku i tij Erdxhan Sulkovski dhe ish-drejtori i sektorit në ESM Ardijan Muça. Paraburgimi është kërkuar edhe për ish-drejtorin e Termocentraleve të Maqedonisë, Vasko Kovaçevski, por ai është në arrati, ndaj vendimi për kërkesën do të merret kur të jetë në dispozicion të autoriteteve.

Exit mobile version