Nënkryetarja e Kuvendit dhe përfaqësuesja e lartë e lëvizjes ZNAM, Vesna Bendevska, ka shprehur hapur kundërshtimin e kësaj force politike ndaj çdo lloj bashkëqeverisjeje me subjekte që kanë lidhje me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), të cilin ajo e cilëson si “parti të pareformuar” dhe “pjesë të një sistemi të kriminalizuar dhe të korruptuar”.
Në një deklaratë për mediat, Bendevska theksoi se qëndrimi i ZNAM ka qenë i qartë që në fillim: nuk do të ketë bashkëpunim me forca që e legjitimojnë BDI-në, një strukturë që, sipas saj, ka kontribuar në shkatërrimin e institucioneve shtetërore përmes një modeli sundimi klientelist dhe të komprometuar.
“ZNAM, që gjatë fushatës zgjedhore, ka folur qartë për nevojën e ‘de-DUI-zimit’ të shoqërisë. Nuk është kjo një qasje kundër shqiptarëve, por kundër një strukture të korruptuar që ka kapur shtetin,” deklaroi ajo, duke iu përgjigjur kritikave për pozicione të ashpra ndaj partive shqiptare.
Deklaratat e saj vijnë në kohën kur një pjesë e Aleancës për Shqiptarët, konkretisht krahu i udhëhequr nga Arben Taravari, po përgatitet për të dalë nga koalicioni qeverisës. Megjithatë, ZNAM nuk shpreh asnjë keqardhje për këtë zhvillim – përkundrazi, e sheh si hap të domosdoshëm për ndarjen nga ndikimi i BDI-së.
E pyetur për legjitimitetin etnik të qeverisë së re, pas akuzave të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, se ajo nuk përfaqëson shqiptarët, Bendevska hodhi poshtë çdo pretendim për monoetnicitet: “Kjo qeveri është gjithçka, vetëm jo monoetnike. Nga katër partitë e koalicionit VLEN, vetëm një është larguar. Të tjerat janë ende pjesë e shumicës.”
Në lidhje me pozicionin e deputetëve të afërt me Taravarin, Bendevska tha se ata nuk kanë marrë pjesë në koordinimet e shumicës dhe se nuk mund të parashikojë se çfarë qëndrimi do të mbajnë në të ardhmen.