Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp të mbajtur këtë të premte, ka drejtuar një apel të drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar të marrin pjesë në votimet e 11 majit. Berisha e cilësoi këtë datë si një moment vendimtar për të ardhmen e kombit shqiptar, ndërsa theksoi rolin jetik të diasporës në këtë proces.
“Thirrja ime është që cilido prej tyre që mund të vijë të votojë me datën 11 maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij. 11 Maji është dita përcaktuese e të ardhmes së kombit shqiptar,” deklaroi Berisha.
Ai vlerësoi diasporën si “shpirti i kësaj fushate elektorale”, duke shtuar se pavarësisht problematikave të hasura me postën në dy shtete, emigrantët nuk duhet të dekurajohen, por përkundrazi të ndihen të motivuar për të marrë pjesë në votim fizikisht në Shqipëri.
“Qindra mijëra emigrantë u regjistruan për të votuar, por një çrregullim i organizuar u konstatua në dy vende me postën… Uroj dhe shpresoj që kjo të mos dekurajojë, por të nxisë çdo qytetar shqiptar jashtë vendit që të vijë këto dy ditë dhe të votojë,” shtoi lideri i opozitës.
Sipas tij, pjesëmarrja e diasporës në votime do të përbëjë një kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe do të jetë një moment historik në angazhimin qytetar të shqiptarëve jashtë atdheut.