Lajme Maqedoni

VMRO-DPMNE shpërthen pas vendimit për spitalin Modular: Dënim i turpshëm, kërkojmë reforma urgjente në drejtësi

Deputeti Bane Petrushevski nga VMRO-DPMNE reagoi ashpër ndaj vendimit gjyqësor për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë, duke kërkuar përgjegjësi të plotë nga institucionet përkatëse.

“Këto janë dënime të ulëta, të turpshme, larg drejtësisë dhe veçanërisht larg drejtësisë reale, për një rast ku humbën jetën 14 persona. Kjo ndodhi në shtator të vitit 2021 në Tetovë. Pas një vendimi të tillë, na mbetet vetëm një gjë: t’i bëjmë thirrje institucioneve për të ndërmarrë reforma urgjente dhe të pashmangshme në sistemin gjyqësor,” tha ai pasdite para Gjykatës Themelore Penale në Shkup.

Sipas tij, çdo person që ka qenë i përfshirë në ndërtimin, mbikëqyrjen dhe menaxhimin e spitalit modular duhet të mbajë përgjegjësi.

“Tani është koha t’u kërkojmë institucioneve kompetente të nisin procedurë për shkarkimin e atyre që janë të përfshirë në këtë vendim të turpshëm për spitalin modular në Tetovë. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje Administratës Tatimore të shqyrtojë origjinën e pasurisë së gjyqtarit që mori këtë vendim,” shtoi Petrushevski.

Ai theksoi se VMRO-DPMNE do të mbështesë çdo shprehje pakënaqësie ndaj këtij vendimi.

Gjykata Themelore në Tetovë sot shpalli fajtorë ish-drejtorët e spitalit klinik të Tetovës për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë publike” në lidhje me zjarrin që shpërtheu më 8 shtator 2021 në spitalin modular, ku humbën jetën 14 persona. Ata u dënuan me nga 1 vit e 6 muaj burg efektiv. Institucioni shëndetësor – Spitali Klinik i Tetovës – u shpall përgjegjës për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Exit mobile version