VMRO-DPMNE serish ka reaguar ndaj vendimit të gjykatës për të dënuar me vetëm 1.5 vjet burg ish-drejtorët Florian Besimi dhe Artan Etemi, për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona.
Sipas opozitës, ky vendim është dëshmi e kapjes së sistemit gjyqësor nga politika dhe i mungesës së drejtësisë së vërtetë në vend. “Në çdo shtet normal, përgjegjës do të ishin të gjithë ata që kishin lidhje me ndërtimin dhe funksionimin e spitaleve modulare. Por në Maqedoni, fajtorët e vërtetë mbrohen, ndërsa ata që duhen ‘sakrifikuar’ dënohen me masa minimale”, thuhet në reagim.
VMRO-DPMNE nënvizon se edhe vetë i dënuari Florian Besimi ka deklaruar se në bankën e të akuzuarve duhej të ishte edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. “Pse nuk hetohet Filipçe? Kush po e mbron dhe pse nuk kërkohet përgjegjësi nga ata që udhëhoqën sistemin shëndetësor në atë periudhë?”, pyet partia opozitare.
Sipas saj, ky rast është shembulli më i qartë se drejtësia në vend është nën ndikim politik dhe se gjyqtarët i shërbejnë interesave të partive në pushtet, jo qytetarëve.
VMRO-DPMNE kërkon reforma të thella në sistemin e drejtësisë dhe rikthimin e besimit publik përmes ndëshkimit të drejtë dhe gjithëpërfshirës të përgjegjësve.