Koalicioni VLEN ka reaguar me tone të ashpra ndaj afrimit të Arben Taravarit me Bashkimin Demokratik për Integrim, duke e konsideruar këtë lëvizje si një kthesë të rrezikshme politike që i shërben vetëm interesave personale të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Në një deklaratë të qartë dhe të drejtpërdrejtë, VLEN akuzon Ahmetin për shndërrimin e shtetit në një “treg privat”, ku pasuritë shumëmilionëshe të familjarëve të tij – nga centralet fotovoltaike e deri te qendrat tregtare – janë ndërtuar pa investime të dukshme, por me përfitime të mëdha politike.
“Për të mbrojtur këtë pasuri marramendëse, Ahmeti vazhdon të mbjellë përçarje në skenën politike shqiptare”, thuhet në reagimin e VLEN, duke shtuar se Arben Taravari është viktima më e fundit e kësaj taktike.
Nga një kritik i ashpër i BDI-së dhe vetë Ahmetit, të cilin e ka quajtur “të korruptuar”, Taravari po i afrohet një bashkëpunimi që sipas VLEN-it është ndërtuar mbi premtime të rreme dhe privilegje të përkohshme.
“Historia e bashkëpunimeve me Ahmetin është një histori dështimesh, kush ka hyrë në pazare me të, ka humbur gjithçka, përveçse pasuria e Ahmetit është rritur”, theksojnë nga VLEN, duke e përshkruar afrimin e Taravarit me BDI-në si një akt që e dëmton rëndë besueshmërinë e tij publike.
VLEN lëshon një mesazh të qart, “Kur Ahmeti përçan, ne bashkojmë. Nuk do të lejojmë pazare me fatin e shqiptarëve.”