Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, pritet të arrijë këtë pasdite në Kosovë në kuadër të vizitës së saj zyrtare në rajon, e cila ka nisur në Serbi dhe do të përfundojë në Shkup.
Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga BE, Kallas do të takojë përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile në Kosovë. Nuk është përmendur ndonjë takim me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, apo ndonjë përfaqësues qeveritar, ndërsa Presidentja Vjosa Osmani nuk do të jetë në vend për shkak të një vizite në Zvicër.
Megjithatë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka njoftuar se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojë një darkë pune me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së gjatë mbrëmjes.
“Kryeministri në detyrë Kurti sonte në mbrëmje e pret për një darkë pune Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, me rastin e vizitës së saj në vendin tonë. Ky takim do të jetë një mundësi e mirë për të diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Republikës sonë dhe Bashkimit Evropian si dhe temat me interes të përbashkët”, ka deklaruar Kryeziu për mediat.
Ndërkohë, press7.tv mëson se Kallas do të takojë liderin e PDK-së, Memli Krasniqi, në orën 17:15 dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, në orën 18:40.
Për dallim nga vizitat në Prishtinë dhe Beograd, ku do të mbajë konferenca për media e vetme, në Shkup është paralajmëruar një konferencë e përbashkët me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
.