Kosovë Lajme

Valon Haliti dhe Zenë Rushiti dënohen me burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Komunën e Skenderajt

    Gjykata Themelore ka shpallur fajtor drejtorin e Inspektoratit në Komunën e Skenderajt, Valon Haliti, dhe inspektorin komunal Zenë Rushiti, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Të dy janë dënuar me nga një vit e gjashtë muaj burgim efektiv, për një vepër që sipas Kodit Penal të Kosovës klasifikohet si formë e qartë e korrupsionit.

    Sipas aktgjykimit, gjatë periudhës 13 qershor – 16 gusht 2023, Haliti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe me rregulloret e ndërtimit, duke lejuar ndërtimet e paligjshme të kompanisë “AndrrA&Sons SH.P.K.” në rrugën “Emin Lati” pa ndërmarrë kontrollet e nevojshme ligjore. Mungesa e mbikëqyrjes institucionale ka vënë në rrezik të drejtpërdrejtë sigurinë publike.

    Ndërkohë, inspektori Zenë Rushiti është shpallur fajtor për mosveprim ndaj shkeljeve ligjore, duke lejuar që ndërtimet të vazhdojnë pa leje të rregullt. Nëglizhenca e tij ka çuar në rrëshqitje dheu, dëmtime të infrastrukturës rrugore dhe dëme materiale në pronat private të banorëve të zonës.

    Në mes të këtij skandali, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka dalë me një deklaratë që është interpretuar si mbrojtje për kompaninë ndërtuese. Ai tha:
    “Dheu është hedhur së voni për ata dhe ka rrëshqitur.”
    Kjo deklaratë u kritikua gjerësisht, duke u parë si përpjekje për të relativizuar përgjegjësinë e institucioneve dhe për të mbrojtur subjektin ndërtues nga përgjegjësia ligjore.

    Ky rast është konsideruar një moment kyç në luftën kundër korrupsionit në nivel lokal dhe një thirrje për më shumë transparencë dhe llogaridhënie në qeverisjen komunale