Botë Lajme

Trump kërkon rihapjen e Alkatrazit: “Koha t’i izolojmë kriminelët më të rrezikshëm!”

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ngritur një ide të pazakontë që ka tërhequr vëmendje të madhe: rindërtimin dhe rihapjen e ish-burgut famëkeq të Alkatrazit si një qendër të sigurisë së lartë për të burgosur kriminelët më të dhunshëm dhe të pamëshirshëm të vendit.

Përmes një postimi në platformën e tij, Truth Social, Trump tha se i është drejtuar Byrosë Federale të Burgjeve, në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare, për të shqyrtuar mundësinë e një “ALKATRAZI të zgjeruar dhe të rindërtuar në mënyrë të konsiderueshme”.

“Ne nuk do të jemi më peng i kriminelëve, bandave dhe gjyqtarëve të cilët nuk e bëjnë punën e tyre. Rihapja e Alkatrazit do të shërbejë si simbol i Ligjit, Rendit dhe Drejtësisë”, shkroi presidenti.

Duke folur për gazetarët gjatë kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë të dielën në mbrëmje, Trump e cilësoi këtë propozim si një ide që i lindi për shkak të “gjyqtarëve të radikalizuar”, të cilët sipas tij kërkojnë që edhe migrantët që ndodhen në SHBA në mënyrë të paligjshme të kenë procese të rregullta gjyqësore.

“Miliona gjyqe do të duheshin”, tha ai, duke shtuar se Alkatrazi, ndonëse një simbol i trishtueshëm, përfaqëson ligjin dhe rendin.

Alkatrazi, i vendosur në një ishull pranë San Franciskos, ka funksionuar si burg federal për gati tri dekada deri në mbylljen e tij më 1963, për shkak të kostove të larta të funksionimit. Aktualisht, ish-burgu menaxhohet nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare si një atraksion turistik dhe Monument Historik Kombëtar, duke pritur mbi 1.2 milion vizitorë çdo vit.

Sipas ligjit, statusi i monumentit historik mund të ndryshohet vetëm me kërkesë të pronarit ose përmes iniciativës së Sekretarit të Brendshëm, në rastet kur vendi nuk i plotëson më kriteret për të qenë i tillë.

Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, reagoi ashpër ndaj propozimit të presidentit, duke e quajtur atë “jo serioz”. “Alkatrazi u mbyll më shumë se gjashtë dekada më parë dhe sot është një nga parqet kombëtare më të vizituara. Ky propozim nuk meriton trajtim serioz,” tha ajo në një postim në X (ish-Twitter).

Exit mobile version