Kosovë Lajme

Tragjedi familjare në Prizren: Babai vret vajzën 15-vjeçare, plagos rëndë të bijën 11-vjeçare dhe bashkëshorten

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e së martës qytetin e Prizrenit, ku një 44-vjeçar ka sulmuar me thikë anëtarët e familjes së tij. Si pasojë e këtij akti të rëndë, një vajzë 15-vjeçare ka humbur jetën në vend, ndërsa motra e saj 11-vjeçare është në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

    Gjithashtu, lëndime ka pësuar edhe bashkëshortja e autorit, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sulmi ndodhi në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Shote Galica” në Prizren.

    Policia është njoftuar përmes një telefonate urgjente dhe ka ndërhyrë menjëherë, pasi i dyshuari mbante ende thikën në dorë, duke penguar edhe stafin mjekësor të intervenonte. Në vendin e ngjarjes mbërritën disa patrulla policore, të cilat arrestuan të dyshuarin, i cili kishte tentuar të lëndonte edhe veten dhe po trajtohet në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

    Familja është me shtetësi turke dhe ka pasur qëndrim të përkohshëm në Kosovë. Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit të sulmit po vazhdojnë.