Lajme Maqedoni

Tetë pacientë të plagosur në tragjedinë e Koçanit kthehen nga trajtimi jashtë vendit – 18 mbeten ende në mjekim

    Ministria e Shëndetësisë njofton se sot janë kthyer në vend tetë pacientë të tjerë të lënduar në tragjedinë në Koçan, të cilët ishin në trajtim mjekësor jashtë vendit. Prej tyre, pesë pacientë janë kthyer nga Turqia, dy nga Bullgaria dhe një nga Sllovenia. Aktualisht, jashtë vendit vijojnë të marrin trajtim 18 pacientë.

    Sipas protokolleve mjekësore të përcaktuara, pesë nga të kthyerit do të vendosen për observim në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, dy në Klinikën për Kirurgji Plastike, ndërsa një pacient do të vijojë trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë “Shën Naum i Ohrit”.

    Gjithashtu, një pjesë e pacientëve që janë kthyer në vend gjatë ditëve të kaluara tashmë kanë hyrë në fazën e rehabilitimit, i cili po realizohet në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit. Ata po trajtohen në repartet përkatëse të neurologjisë, kirurgjisë dhe terapisë fizikale, në përputhje me lëndimet që kanë pësuar.

    Ministria e Shëndetësisë vazhdon të monitorojë nga afër gjendjen shëndetësore të të gjithë pacientëve të lënduar, duke synuar ofrimin e trajtimit më të mirë të mundshëm dhe përkrahje të vazhdueshme për rehabilitimin e tyre.