Lajme Maqedoni

Të rinjtë mund të marrin €10 mijë për të hapur biznes! Durmishi prezantoi në Tetovë planin operativ të Qeverisë

Screenshot

    Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, deklaroi se vetëm këtë vit Qeveria ka paraparë 40 milionë euro për masa kundër papunësisë. Të papunët do të stimulohen të përfitojnë grante nga Agjencia për Punësim, ndërsa punëdhënësit do të përfitojnë nëse punësojnë të rinj. Sipas Durmishit, edhe pse nuk mund t’i ndalojnë të rinjtë të largohen nga vendi, përmes këtyre masave ata mund të krijojnë mundësi për vetëpunësim dhe hapje të bizneseve. Plani operativ u prezantua sot para qytetarëve të Tetovës.

    Vetëm nëpërmjet masave që do të ndahen përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës që do të realizohen përmes Agjencisë për Punësim do të ndahen 10 mijë euro për çdo të ri që është deri në moshën 29 vjet dhe deri në shtatë mijë euro do të ndahen për hapjen e vendit të punës apo themelimin e ndonjë kompanie për personat që janë mbi 29 vjet. Bashkërisht nëse vendosin dy persona, përkrahja financiare do të jetë nga 14 mijë deri në 20 mijë euro”, tha Besar Durmishi.

    Nga Agjencia për Punësim thonë se qëllimi është që këto mjete t’u dedikohen personave të pa punë dhe punëdhënësve të cilët do të stimulohen për të krijuar vende të qëndrueshme të punës.

    “Rëndësia e këtyre masave është se ato u dedikohen personave të papunë dhe punëdhënësve, ndërsa qëllimi i këtyre masave është që të nxitet punësimi, të zvogëlohet papunësia dhe të krijohen vende të qëndrueshme të punës”, tha Salajdin Saliu

    Në Maqedoninë e Veriut tani për tani ka 94 700 persona të pa punë, 61% prej të cilëve janë me arsim të ulët. Sipas drejtorit të Agjencisë për Punësim të dhënat tregojnë se kompanitë që hapen përmes kësaj agjencie janë më të suksesshme se ato që hapen drejtpërdrejtë përmes Regjistrit Qendrorë.