Lajme Maqedoni

Taravari thumbon të larguarit: Nuk shitet ideali për një kolltuk, shihemi në tetor!


    Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar për herë të parë pas valës së pakënaqësive dhe distancimeve publike nga funksionarë të partisë së tij, pas vendimit për të kaluar në opozitë. Edhe pse pa përmendur emra konkretë, mesazhi i tij aludon qartë në drejtim të zëvendëskryeministrit Arben Fetai dhe ish-deputetit Salim Sulejmani, të cilët u pozicionuan hapur kundër këtij vendimi.

    “Rruga e Arbën Xhaferit nuk kalon nga një Qeveri që të quan ‘20%’, rruga e Ndryshimit nuk kalon duke shitur pozitën e deputetit, dhe rruga e Dinjitetit nuk kalon duke lënë partinë për një kolltuk ministri. Gjithsesi… shihemi në tetor!”” shprehet Taravari.

    Deklarata vjen në një kohë tensioni të lartë brenda ASH-së, me betejë të ashpër brenda strukturave të partisë, që pritet të intensifikohet me afrimin e sezonit të ri politik.