Drejtori aktual i Klinikës së Neurologjisë, Fatmir Mexhiti, në të njëjtën kohë që ka qenë në krye të këtij institucioni publik shëndetësor, ka qenë edhe bashkëpunëtor me honorar i Ministrisë së Shëndetësisë – pikërisht institucionit që e kishte emëruar drejtor – dhe paga mujore e tij ka qenë 60 mijë denarë, tregojnë dokumentet me të cilat disponon “Sloboden Peçat”.
Nga marrëveshja nuk kuptohet qartë se çfarë pune ka kryer Mexhiti për këtë honorar, por është e qartë se detyrat për Ministrinë e Shëndetësisë është dashur t’i realizonte çdo ditë. Të dhënat nga platforma “Financat e Hapura” tregojnë se pagesat nga Ministria janë realizuar çdo muaj, në vlerë prej 1.000 eurosh, deri në dhjetor të vitit 2024.
Marrëveshja e punës mes Mexhitit dhe Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë aktive nga 8 korriku 2024 deri më 31 dhjetor 2024. Gjatë kësaj periudhe, ai ka pasur detyra të përditshme për Ministrinë, pavarësisht se njëkohësisht mbante pozicionin e drejtorit në Klinikën e Neurologjisë, me detyrime të përditshme edhe atje.
Kontrata është lidhur menjëherë pasi Arben Taravari, bashkëpartiak dhe mik personal i Mexhitit, mori postin e ministrit të Shëndetësisë. Gjatë kohës sa Taravari ishte ministër, të paktën dy persona të afërt familjarisht me Fatmir Mexhitin kanë nënshkruar gjithashtu kontrata me Ministrinë e Shëndetësisë për të kryer detyra të caktuara me orar të përcaktuar, sipas dokumenteve që disponojmë./Sloboden Peçat